Gjilani diskriminohet nga ana e Qeverisë

Gjilanit e Anamoravës zakonisht i premtohet shumë, por kjo anë rrallë ka përfituar ndonjë projekt të madh. Bile, PDK-ja, subjekt politik në opozitë, buxhetin për vitin 2016 e ka vlerësuar si diskriminues dhe ofendues. Riad Rashiti, ish-drejtor për Zhvillim Ekonomik, thotë se në buxhetin e Republikës së Kosovës i planifikuar për vitin 2016, asnjë nga projektet e premtuara për Gjilanin, nuk janë të përfshira. Sipas tij, fondi për autostradën e premtuar të Gjilanit, askund nuk figuron në këtë buxhet, por as për tri vitet e ardhshme deri në vitin 2018.

“Gjilani ka mbetur pa zot shtëpie, i anashkaluar plotësisht dhe i diskriminuar nga qeverisa e LDK-së, qytetarët e Gjilanit janë mashtruar rëndë nga premtimet e Lutfi Hazirit, i cili aspak nuk ka shprehur interesim për qytetin dhe qytetarin e komunës, të cilëve u ka vështirësuar e rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike-sociale”, ka thënë Rashiti, që ka shtuar se nuk ka asnjë projekt madhor dhe të rëndësishëm që është planifikuar për Gjilanin, as për projektin e lumit Mirusha, Qeveria e Isa Mustafës nuk ka ndarë buxhet më shumë se 110 mijë euro për vitin 2016. “Gjilani është diskriminuar rëndë edhe në ndarjen e bërë të grandeve për komunat e Kosovës, ku për shpenzime kapitale Gjilani nuk mund të krahasohet as me Graçanicën, Dragashin, Gllogovcin, Istogun, Shtimen dhe shumë komuna të tjera që janë shumë më të vogla se Gjilani.

Për Gjilanin janë planifikuar grande për investime kapitale, vetëm 895 mijë euro për investime kapitale, më pak se Graçanicës që i janë ndarë në vlerë prej 1,689,338 euro, apo rreth 100% më shumë”, ka thënë Rashiti, sipas të cilit edhe Prizrenit i janë ndarë 9.9 milionë euro për shpenzime kapitale, apo 1,110% (njëmijë e 110%) më shumë sesa Gjilanit, po ashtu Ferizajt i janë ndarë 4.4 milionë euro, apo 500% më shumë sesa Gjilanit. Ai thotë se Komuna e Skenderajt ka përfituar 10 milionë euro buxhet të planifikuar vetëm për një rrugë regjionale (për 2016-2018), ndërsa Gjilani nuk ka përfituar asnjë projekt për rrugë regjionale, e lëre më për autostradën e premtuar.

Sipas tij, ngjashëm është edhe me universitetet, me ç’rast Universitetit të Pejës, atij të Prizrenit dhe të Mitrovicës u janë ndarë nga 500 mijë euro, mirëpo Universitetit të Gjilanit vetëm 320 mijë euro. Rashiti vlerëson se nga Ministria e Shëndetësisë për një projekt investiv në Gjilan, për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së, i janë ndarë vetëm nga 200 mijë euro për tri vitet e ardhshme, po ashtu as nga Ministria e Kulturës nuk ka asnjë projekt për përkrahje të kulturës, për zgjidhjen e problemit serioz që ka Teatri i Gjilanit, nuk ka asnjë projekt për trashëgiminë kulturore, për projektin e Sahat Kullës, sikurse që nuk ka as për zhvillim dhe përkrahje të rinisë gjilanase për tri vitet e ardhshme. /Zëri/