Gjosha: Përfshirja sociale e romëve dhe egjiptianëve, kusht për integrimin në BE

Gjatë seminarit politik për përfshirjen e Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në Shqipëri, Ministrja Gjosha u shpreh se përfshirja sociale e romëve dhe egjiptianëve, është kusht për të ecur përpara me procesin e integrimit.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha mori sot pjesë në Seminarin   III-të të Dialogut Politik për Përfshirjen e Komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në Shqipëri.  Në fjalën e saj, Ministrja Gjosha theksoi se vëmendja për komunitetet rom dhe egjiptian,  është një vëmendje e cila përputhet me parimin e patjetërsueshëm të krijimit të Evropës së bashkuar: Respektimin e të drejtave të njeriut si detyrim i çdo shoqërie demokratike.

“Në çdo raport progresi,  nënvizohet domosdoshmëria e vijimit të mbështetjes  dhe integrimit social të komunitetit rom. Ky është një prej kushteve kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të përmbushjes së 5 prioriteteve që vendit i janë lënë për të ecur përpara me procesin e  integrimit”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Gjosha,   u shpreh se   në lidhje me afatet dhe masat e vendosura,  Ministria e Integrimit dhe gjithë institucionet e tjera  po koordinojnë punën që gjithçka e parashikuar në udhërrëfyesin për 5 prioritetet dhe ka lidhje te drejtpërdrejtë me komunitetin rom dhe egjiptian , të realizohet në kohë.

“Emancipimi dhe zhvillimi i një shoqërie tregohet qartë nga mënyra si trajtohen pakicat dhe minoritetet.  Integrimi, lufta kundër diskriminimit, mundësitë e barabarta, për ta, e bëjnë Shqipërinë një vend me evropian dhe të përparuar”, tha Ministrja Gjosha.