Gjykata e Apelit vendos të hënën për Donika Kadaj-Bujupi (Video)

Masën e paraburgimit prej 30 ditësh, Donika Kadaj-Bujupi po e vuan në Lipjan. Për këtë dënim të shqiptuar nga Gjykata Themelore, avokati i deputetes së AAK-së, Arianit Koci ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ai e cilëson vendimin të padrejtë dhe të paligjshëm, dhe pret që kërkesa e tij të aprovohet. Koci, gjithashtu pret që Gjykata e Apelit të vendos të hënën me bindjen se ajo do të lirohet.

“Disa çështje kam shqyrtuar në ankesë si çështjen e ekspertizës së gazit apo tymit, pastaj gjykata fare nuk është marrë me as një pretendim timin ajo i ka trajtuar pretendimet e Prokurorisë dhe ato i ka fut copy paste kjo në një formë është edhe shkelje”, tha Koci.

Ai e pranon që akuza ndaj deputetes është shumë e rëndë, ngase sipas akuzës ajo mund të dënohet 1 deri në 10 vite me burg. Por, Koci konsideron se Gjykata ka gabuar edhe në kualifikim e veprës penale ngase sipas tij, deputetja i ka kryer veprimet në cilësinë e personit zyrtarë.

“Ky vendim as nuk e ka forcua sundimin e ligjit dhe pa nevojë e ka tensionuar situatën dhe në atë formë të jetë në përputhje me ligjin dhe në kontekst shoqërorë”, tha Koci.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit ka thënë se askush nuk do të mund të thirret në emër të pozitës, postit, pozitës dhe votave.