“Gjykata Speciale nuk është kundër UÇK-së”

Departamenti Amerikan i Shtetit pret nga Kosova që të formohet gjykata speciale dhe se të mos kthehet votimi mbrapa.

Kështu ka thënë në intervistën dhënë “Zërit”, Zyrtari i lartë i DASH-it, Tom Yazdgerdi.

Ky i fundit ka thënë se Kosova duhet të përballet me të kaluarën, dhe se kjo është më se e rëndësishme për vendin.

Sipas tij, asnjë kosovarë nuk duhet të frikësohet nga gjykata speciale kështu duke pohuar se nuk është vetëm Kosova me të kaluar konflikti.

“Mendoj se është një çështje e Kosovës që të ofrojë përgjigje të mira ndaj angazhimeve ndërkombëtare. Ne presim që Kosova të bëjë këtë. Mendoj se është e rëndësishme që Kosova është e vendosur të përballet me të kaluarën e vet, mendoj se është e rëndësishme për pajtimin, të cilën sekretari e përmendi”.

“Pra, Kuvendi i Kosovës mori një vendim shumë të vështirë, kur ajo kaloi amendamentin kushtetues mbi legjislacionin për themelimin e kësaj Gjykate. Tani është koha për ta vënë Gjykatën në praktikë”.

“Kosova nuk është i vetmi vend që ka kaluar nëpër një konflikt të tmerrshëm, që rezultoi me të gjitha llojet e mizorive të tmerrshme. Ka vende të tjera në mbarë botën. Por mendoj se është e rëndësishme që për të ardhmen e Kosovës, jo vetëm për kredibilitetin e saj ndërkombëtar, ta përfundojë punën për statusin e Gjykatës”, ka thënë Yazdgerdi.

Yazdgerdi ka vlerësuar gjithashtu se Gjykata Speciale ka të bëjë me individë dhe jo me tërë UÇK-në. Ai tha se Qeveria ka qenë e suksesshme në aspektin e negocimit me Holandën për vendosjen e saj.

“Kjo është në lidhje me individët – askush nuk është duke dënuar tërë organizatën. Kosova duhet të adresojë këtë tutje, të mos ketë frikë prej saj dhe t’i tregojë botës se nuk ka asgjë për të fshehur” ka thënë Yazdgerdi. /Telegrafi/