GORANI:QEVERIA MUSTAFA DO MBAHET MEND PËR VENDIME TË RËNDA

Qeveria e Kosovës ka përmbushur misionin e saj brenda një viti qeverisës,duke kryer detyrat politike, të cilat lidhen me tri marrëveshjet: Gjykatën Speciale, Asociacionin dhe demarkacionin.

Në një vjetorin e qeverisjes së Isa Mustafës, njohësi i rrethanave politike në vend Dukagjin Gorani për KosovaPress ka deklaruar se kjo qeveri do të mbahet mend për vendime të rënda, pasojat e së cilave do të ndihen për një kohë të gjatë.

Gorani tha se tri marrëveshjet e muajve të verës kanë mundur të negociohen në një mënyrë tjetër, por se në këtë drejtim Qeveria duke mos pasur aftësi më të mëdha ka dështuar.

“ Kjo qeveri ka kryer detyra politike. Për këtë edhe u formua, duke abuzuar etikën publike dhe interpretimet kushtetuese. Brenda dy muajve të verës, nënshkroi tri marrëveshje që e rrënuan normalitetin shoqëror në Kosovë. Specialen, Zajednicën dhe Demarkacionin. Sipas saj, këto janë arritje. Unë i shoh ndryshe. I shoh si pasojë e një pazari të dobët mes këtij pushteti dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kanë mundur të negociohe n ndryshe, mirëpo kjo qeveri nuk pati aftësi më të madhe.
Kam frikë se viti që po vjen do të kalojë ngjashëm me këtë që po e lëmë. Kriza do të thellohet derisa nuk rrënohet infrastruktura e pushtetit. Derisa nuk paralizohet tërësisht funksionimi i shtetit. Pastaj, shkohet në zgjedhje të parakohshme”, tha Gorani për KosovaPress, me përgjigje përmes postës elektronike.

Falja e borxheve ndaj institucioneve publike sipas Goranit ishte një skandal i bërë nga kjo Qeveri, dhe se në aspektin ekonomik Qeveria Mustafa brenda këtij viti ka dëshmuar sepse ishte Qeveri e status-qousë. Arritjet më të mëdha të saj sipas tij ishin edhe dështime më të rënda që ajo pati.

“Arritjet më të mëdha të saja ishin edhe dështimet më të rënda. Kryekëput, ishte qeveri e vendimeve të dëmshme politike, jo e programeve zhvillimore. Veç skandaleve si ‘falja e borxheve’, nuk mba j mend të jetë zbatuar ndonjë politikë zhvillimore gjatë gjithë vitit. Qeveria Mustafa nuk ishte formuar për të nisur proces zhvillimor. Ekonomikisht, ishte qeveri e status-quosë. Qeveri e mirëmbajtjes së gjendjes ekzistuese. Politikisht, ishte qeveri e vendimeve të rënda të cilave do t’ua shohim sherrin edhe një kohë të gjatë. Qeveri që u ngjiz në mospërfillje shoqërore, tradhtime ndërpartiake dhe servilitet të verbër ndërkombëtar. Atë që lind e shtrembër, koha nuk e drejton”, tha Gorani.

E për bashkëjetesën në mes të PDK-së dhe LDK-së brenda një viti qeverisës Gorani tha se u fillua si një martesë nga interesi por që më pas u shndërrua në bashkësi që mbahet nga frika e fajeve dhe përgjegjësisë, duke bërë kështu që brenda një viti kalendarik të mos ketë funksionim të saj .

Ai theksoi se këtë koalicion, apo siç e quan ai ”këtë dredhi lokale e ndërkombëtare”, nuk e ka merituar populli i Kosovës.

“U nis si martesë nga interesi, por u shndërrua në bashkësi që mbahet nga frika prej fajeve e përgjegjësisë. Ka njëfarë doze të fatalizmit në gjithë këtë punë. LDK e lidhi pashkëputshëm fatin e vet me PDK. Të dy palët kanë mos durim të skajshëm për njëri tjetrin – historik, madje – por tash e detyruan veten të jetojnë bashkë. Në anglisht i thonë ‘shotgun marriage’, martesë kah gryka e pushkës. E kjo vetëm sa ta shton neverinë dhe mosbesimin teksa i dëgjon kah deklarohen për suksese e bashkëpunime të ngushta. Nuk mendoj që kjo qeveri ka funksionuar as edhe një ditë të vetme. E kuptoj, jemi shoqëri e vetëdijes së ulët politike e kulturore, por megjithatë nuk mendoj se e merituam këtë dredhi lokale e ndërkombëtare që na e prodhoi këtë pushtet”, tha Gorani.

Fatet e tri subjekteve që janë pjesë e koalicionit PDK, LDK dhe Lista Serbe , sipas Goranit janë të lidhura dhe se rënia e njërës nënkupton edhe rënien e tjetrës.

Pushteti dhe dëshira për të pasur atë, sipas Goranit do të jetë shkatërrimi i tyre.

“Sot, të gjitha partitë në pushtet i kanë fatet e ndërlidhura. Përfshirë këtu edhe Listën Srpska. Rënia e njërës do të jetë edhe rënia e të tjerave. Këtu nuk po flas vetëm për rënie nga pushteti, por edhe nga besimi, përkrahja dhe mirëkuptimi shoqëror. Nga obsesioni për pushtet këto parti e nënshkruajtën vetëshkatërrimin e tyre. Është çështje e javëve, apo e disa muajve, kur do të përfundojë ky proces”, tha Gorani.

Ndryshe në një vit të Qeverisë Mustafa ka pasur reagime të shumta nga ana e shoqërisë civile të cilët kanë vlerësuar se arritjet brenda këtij viti kanë qenë të pakta dhe se Mustafa nuk ka arritur të menaxhoj mirë me shtetin. /RTK