Gratë e opozitës kërkojnë lirimin e Donikës

Përmes një aktiviteti në sheshin “Zahir Pajaziti”, gratë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të përkrahura nga gratë e Vetëvendosje dhe Nismës, kërkuan edhe sot lirimin e Donika Kadaj-Bujupit nga burgu.
 Me disa pankarta në duar që shënonin “Me Donikën”, gratë opozitare e quajtën të padrejtë dhe politike mbajtjen në burg të deputetes së AAK-së.

Kryetarja e Aleancës së Gruas Magbule Shkodra tha se lirimi i Kadaj – Bujupit nga burgu duhet të ndodhë sa më parë, sepse sipas saj ajo po mbahet pa të drejtë atje. Ajo tha se ky shtet po e dirigjon dritësinë për arrestimin e deputetëve.

“Donika Kadaj-Bujupi, është e burgosur politike, dhe të gjithë aktivistët tjerë, përfshirë edhe deputet tjerë të cilët po mbahen të burgosur, dhe këta nuk janë më shumë se të burgosur politik. Jemi në një shtet ku po dirigjohet drejtësia dhe kur një pushtet dirigjon drejtësinë ndodhinë këto, arrestohen deputetët, arrestohen aktivistët, mundohet të arrestohet e tërë opozita duke na përjashtuar edhe nga Kuvendi”, tha Shkodra.

Liderja e grave të AAK-së kërkoi nga Qeveria dhe pushteti që t’i anulojnë këto marrëveshje dhe të lirojnë deputetët e burgosur politik. Shkodra tha se Kosovës duhet t’i kthehet identiteti, sovraniteti dhe integriteti.

“Pushtetarët të heqin dorë nga shteti policor. Nga ky vend me të gjitha aktivistet në përkrahje që i kemi, i ftoj edhe një herë qeveritarët pushtetarë të cilët po e shndërrojnë këtë shtet në shtet policor, që të heqin dorë, t’i anulojnë këto marrëveshje, të lirojnë deputetët të burgosur politik që po i mbajnë nëpër burgje, t’i lirojnë aktivistët, t’ia kthejnë Kosovës identitetin, t’ia kthejnë sovranitetin dhe integritetin, për ndryshe s’di a do të ketë kuptim festa e pavarësisë. Andaj së bashku të jemi të qëndrueshme dhe të vazhdojmë “Me Donikën”, tha Shkodra.

Kurse, aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje Nazlije Blaja, tha se fjalimet dhe qëndrimet e Donikës ishin fjalime dhe qëndrime të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ajo tha se fajësia e Donikës është vetëm sepse ajo ishte kundër marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi. Balaj tha se po e kërkojnë lirimin e menjëhershëm të deputetëve, sepse këto arrestimet janë të pa drejta.

“Ky pushtet dhe kjo Qeveri nuk mundet as një herë ta arrestoj vullnetin politik. Ky pushtet dhe kjo Qeveri nuk mundet asnjëherë ta arrestoj vullnetin politik të çdo qytetari të Kosovë, që kudo dhe nga do që janë i thonë me një jo të madhe marrëveshjeve me Serbinë, kundër demarkacionin me Malin e Zi dhe kundër kësaj të keqe, që me gjakun dhe sakrificën e djemve dhe vajzave e kanë ndërtuar këtë liri dhe këtë shtet, por jo këtë pushtet dhe jo këtë Qeveri. Prandaj jemi me Donikën, jemi me të gjithë aktivistët tjerë ku do që janë. Kërkojmë lirimin e tyre, sepse arrestimi i tyre është i pa drejtë, i pa vend, vetëm e vetëm që të mbajnë pushtet dhe të mbajnë karriget e tyre”, tha Balaj.

Sipas saj, në vazhdimësi ky pushtet, ky shtet dhe kjo Qeveri, përmes dhunës dhe arrestimeve të pa drejta, arrestimeve arbitrare, arrestimeve pa as një arsye kundër të gjitha ligjeve, kundër të gjitha normave dhe kundër të gjitha rregullave, i kanë vënë prapa grilave deputetët si Donika dhe dhjetëra aktivistë të tjerë. /lajmi/