Gratis një amerikan!

Basketbollistët e huaj janë mësuar t’i mbushin xhepat me para gjatë eksperiencave të tyre në Kosovë. Mirëpo, jo për të gjithë paraja është prioritet. Michel Luwis ka pranuar të luajë pa para për Vëllaznimin. Basketbollisti amerikan thotë se ia kalon mjaft mirë në Gjakovë, ku s’ka shpenzime të mëdha. E gjakovarët ndihen të privilegjuar që e kanë në ekipin e tyre organizatorin kualitativ

Kosova është një “parajsë” për lojtarët e huaj, të cilët marrin paga marramendëse në vendin tonë dhe madje kërkojnë që ato t’u jepen në dollarë. Gjithashtu, ata kërkojnë edhe kushte tjera përcjellëse, të cilat në vendet e tyre as që mund t’i ëndërrojnë.

Mirëpo, paraja nuk është gjithçka edhe për basketbollistin e huaj, Michel Luwis. Amerikani e ka marrë një vendim të habitshëm, duke pranuar të luajë pa para për skuadrën Vëllaznimit, duke u bërë lojtari i parë i huaj që luan në Superligë pa “kokërr dinari”, shkruan Zëri.

Dashuria e madhe për sportin e luajtur me duar e ka shtyrë amerikanin që të pranojë të zbresë në parket pa u paguar.

“Për mua është eksperiencë e re që luaj në Evropë dhe këtë kam dashur ta provoj. Kam biseduar me klubin dhe kam dashur të luaj këtu. Ata ma kanë ofruar këtë mundësi dhe për këtë jam shumë i lumtur. Ata më kanë treguar se nuk mund të më ofrojnë pagë dhe këtë e kam pranuar, pasi unë e dua basketbollin dhe dëshiroj të luaj. Kjo është e rëndësishme për mua”, u shpreh fillimisht Luwis në një intervistë ekskluzive për “Zërin”.

Ndryshe, fundori amerikan tregon se është ambientuar shumë mirë në qytetin e Gjakovës. Por, si ia del ai të mbijetojë kur nuk ka kurrfarë të ardhurash?

“Jam ambientuar shpejt, pothuajse të gjitha shpenzimet i paguaj vetë. Kosova nuk është vend i shtrenjtë për të jetuar dhe nuk e di se sa para shpenzoj gjatë ditës pasi një ditë mund të jetë më shumë dhe një ditë më pak, por e rëndësishme për mua është që jam duke kaluar shumë mirë këtu”, deklaroi për Zërin organizatori amerikan, i cili është një ndër lojtarët më të dalluar te skuadra gjakovare këtë edicion.

Tanushi: Luwis erdhi vetë

Ndihmës-trajneri i Vëllaznimit, Valon Tanushi, thotë se lojtari i tij kryesor iu vetofrua ekipit gjakovar. Sipas tij, Luwis është mjaft i dobishëm për ekipin dhe ndihet i privilegjuar që e ka në skuadër një lojtar të kalibrit të tij.

“Michel Luwis ka ardhur në mënyrë vullnetare për të luajtur te ne. Është një lojtar me karakteristika interesante. Ai, të gjitha shpenzimet i paguan vetë, ne ia kemi mundësuar që disa prej tyre t’i ketë më lirë në disa vende. Ishte ai i cili na ka kontaktuar dhe kishte shprehur dëshirën për të luajtur basketboll”, tregon Tanushi.

S’ka rroga as për vendorë

Përveç krizës së rezultateve, në të cilat është duke kaluar Vëllaznimi, punët mirë nuk i ka as nga ana financiare. Trajneri i gjakovarëve tregon situatën në të cilën është duke kaluar ekipi i tij, duke zbuluar se Luwis nuk është i vetmi lojtar që s’merr rrogë tek Kuqezinjtë.

“Jemi në gjendje të vështirë financiare, por kemi premtime nga Komuna, që pas muajit dhjetor do të kemi mbështetje. Të gjithë lojtarët, të cilët luajnë këtu, janë pa paga. Dhe, vërtet është e vështirë që t’i motivojmë të luajnë pa para”, potencoi ish-basketbollisti gjakovar, i cili shtoi se synimi i ekipit të tij është mbijetesa. /Zëri/