Grevë e re e punëtorëve të transportit në Gjermani, priten vonesa e anulime udhëtimesh

Sindikata EVG në Gjermani njoftoi të mërkurën për një greve gjithëkombëtare të transportit për të premten. Në mesin e kompanive të prekura do të jetë edhe operatori kombëtar i hekurudhave, “Duetsche Bahn”.

Greva do të prekë 50 kompani dhe do të mbahet nga ora 3 e mëngjesit deri në orën 11 paradite, tha sindikata e hekurudhave dhe transportit, raporton agjencia “Reuters”.

Sindikata paralajmëroi se udhëtarët duhet të jenë të përgatitur për vonesa dhe anulime të udhëtimeve.

Inflacioni i lartë në ekonominë më të madhe të Evropës ka nxitur një valë grevash në muajt e fundit, pasi punëtorët po kërkojnë paga më të larta për t’iu kundërvënë kostos më të madhe të jetesës.

Sindikata “Verdi” gjithashtu u ka bërë thirrje punëtorëve të kontrollit të sigurisë në tri aeroporte që të mbajnë grevë të enjten dhe të premten. Aeroporti i Hamburgut njoftoi të martën se të gjitha nisjet e aeroplanëve do të anulohen ose aeroplanët do të nisen pa pasagjerë si rezultat i grevës. Pritet që rreth 80 mijë pasagjerë të preken nga kjo grevë.

EVG-ja, e cila është duke zhvilluar bisedime në emër të 230 mijë punëtorëve, po kërkon rritje pagash prej 12 për qind ose të paktën 650 euro shtesë në muaj.

Kompania “Deutsche Bahn” ka ofruar 5 për qind rritje page dhe pagesa të njëhershme deri në 2.500 euro. /nacionale/