Hand tregon për rolin e SHBA tek ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri (Video)

Në gusht 1990, disa muaj para se të vendosej pluralizmi në Shqipëri, një delegacion amerikan bëri vizitën e parë zyrtare në Shqipëri që nga viti 1946, drejtuar nga ish- Senatori demokrat Dennis DeConcini.

Kjo vizitë ishte në kuadër të Komisionit të Helsinkit, ose të asaj që atëherë quhej KSBE, nga i cili regjimi komunist donte të merrte miratimin për t’u bërë pjesë e procesit të Helsinkit, duke shpresuar të menaxhonte ndryshimet dhe të mos humbte pushtetin.

Përgjigjia ishte negative, pasi reformat ishin të pamjaftueshme, një mesazh i qartë, por vizita kishte një rëndësi të jashtëzakonshme sepse u pa si një rikthim i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Këshilltari politik i Komisionit të Helsinkit, Robert Hand ishte një nga organizatorët e vizitës.

Ai shkoi në Shqipëri me delegacionin dhe u rikthye tetë herë të tjera në vend me delegacione Kongresi dhe për të vëzhguar zgjedhje në kuadër të OSBE’së.

Gjatë 25 viteve, ai u njoh me protagonistët e politikës shqiptare, ndoqi zhvillimet në vend dhe u bë një nga njohësit dhe analistët më me peshë të zhvillimeve në vend.

Në pjesën e parë të një intervistë që zoti Hand i dha Zërit të Amerikës me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së pluralizmit, ai sjell kujtimet e tij nga ajo vizitë e pare, bën një  analizë për formën e ndryshimit të sistemit në Shqipëri dhe rrëfen kontaktet e para me ish-drejtuesit e regjimit dhe ata që u bënë më pas krerët e opozitës së pare demokratike.