Hapet supermarketi i produkteve me afat të skaduar përdorimi

Një supermarket danez ka gjetur një mënyrë alternative për ta luftuar problemin e hedhjes së panevojshme të ushqimeve, duke ofruar për myshterinjtë e tyre vetëm ushqime që janë pak para skadimit të afatit të përdorimit, por që ende mund të shfrytëzohen.

“WeFood” i shet të gjitha rezervat e saj me një lirim prej ndërmjet 30 deri 50 për qind. Supermarketi, i cili i ka hapur dyert e veta të hënën në Kopenhagë, është i pari i këtij lloji në Evropë, shkruan “The Telegraph”, transmeton “Koha Ditore”. Derisa dyqanet e tjera që ofrojnë lirime marrin në shënjestër drejtpërsëdrejti myshterinjtë me të ardhura më të ulëta, “WeFood” po tenton që të bjerë në sy të tregjeve më të mëdha.

Shenjat e para tregojnë se edhe mund të ketë sukses. “WeFood” pati në hapjen e saj të pranishme princeshën Marie të Glucksburgut, ndërsa konsumatorët iu përgjigjen ofertës menjëherë.

Shitjet në ditën e parë të punës ishin shumë më të mëdha sesa kishim pritur, me ç’rast konsumatorët i zbrazën raftet pothuajse tërësisht dhe kjo për të gjitha produktet e ofruara”, ka raportuar e përditshmja daneze “Copenhagen Post”./telegrafi/