Haradinaj në Gjakovë viziton xhami, teqe e kishë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë e deputetë qëndroi sot në Gjakovë, ku fillimisht vizitoi Bashkësinë Islame ku u takua dhe bisedoi nga afër me përfaqësues të këtij komuniteti fetar.

Vizita e tij në këtë qytet është bërë në vazhdën e kampanjës “AAK në komunën tuaj”. Haradinaj, në takim me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Gjakovë, Ahmet Hoxha, i është falënderuar për kujdesin e tyre ndaj popullit.

“E jona është me qenë me ju, meqenëse se si popull me gjitha temat që na preokupojnë edhe aspekti shpirtëror e fetar është pjesë e jetës sonë dhe ne e ndjejmë kur e bëni kujdesin në mënyrën më të mirë për qytetarin dhe për popullin”, tha Haradinaj.

Kurse, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjakovë, Ahmet Hoxha tha se duhet të ruhet tradita dhe kultura, që populli shqiptar e ka pas gjithmonë, tolerancën dhe bashkëjetesën ndër fetare. Por ai ka theksuar që duhet të punohet edhe më shumë në mënyrë që kjo traditë të vazhdohet edhe më tej.

“Ne normal duhet që patjetër të kultivojmë në mes kritikës dhe anës shpirtërore. Duhet të ruajmë traditën dhe kulturën si popull që e kemi pas, dhe në të njëjtën kohë ajo me të cilën ne i kemi treguar botës mbarë tolerancën dhe bashkëjetesën, këtë duhet ta çmojmë dhe ta kultivojmë. Por në të njëjtën kohë duhet të punojmë që atë që e kemi pas ta ruajmë dhe ta çojmë përpara”, tha Hoxha.

Më pas u bë vizitë në Kishën Françeskane, ku u takua me Patër Ndue Kajtazi. Këtu i pari i AAK-së tha se vizita të tilla për të janë gjithmonë një ndjenjë e veçantë, duke u bazuar në atë se në Kosovë ekziston një tolerancë e mirëfilltë fetare, dhe që ai e ndjen si obligim t’i vizitojë nga afër sa herë që ka mundësi.

Haradinaj ka vizituar edhe Teqenë e Sheh Ruzhdi Shehut.

Më pas është ndalur edhe te ndërmarrja “Euroterm” në fshatin Osek, si dhe Klubin Futbollistik “Gjakova”. Takoi edhe strukturat udhëheqëse të AAK-së dega në Gjakovë.