Haradinaj – qytetarëve: Shihemi nesër në Gjilan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një videomesazhi publik iu ka drejtuar qytetarëve për ta mbështetur manifestimin e nesërme të partive opozitare në Gjilan, në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin me Serbinë dhe marrëveshjes për demarkacionin kufitar me Malin e Zi.

“Qytetarë të Gjilani dhe të Anamoravës, të bashkohemi nesër në shesh të Gjilanit në ora 13:00 për të protestuar paqësisht kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Shihemi nesër”, thotë Haradinaj.

Ndërkohë, përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare në Gjilan, kanë njoftuar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që manifestimi i datës 12 dhjetor të jetë masiv dhe dinjitoz.

Opozita manifeston nesër duke filluar nga ora 13:00 në sheshin para Teatrit të Qytetit të Gjilani, në kuadër të manifestimeve paqësore nëpër komunat e Kosovës.

Kjo është protesta e dytë në kuadër të manifestimeve nëpër komuna pas manifestimit në Gjilan.

“Qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës vazhdimisht i kanë kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Republikën e Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës, është prekur më së shumti nga decentralizimi etnik, për të cilin na thoshin se është kompromisi i dhimbshëm i fundit, e që doli të jetë veç kaparja për “Zajednicën”. Po ashtu, banorët e kësaj pjesë i kanë parë për së afërmi gabimet e Qeverisë së Kosovës në demarkacionin me Maqedoninë. Prandaj, qytetarët e Anamoravës nuk do të lejojnë që të shumëfishohen këto dëme, as përmes “Zajednicës”, e as përmes demarkacionit me Malin e Zi. Marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë, dhe marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, duhet të tërhiqen menjëherë. Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon ta bëj një gjë të tillë, atëherë le t’i hedhë marrëveshjet në referendum, dhe le të vendosë populli i Kosovës për to. Nëse Qeveria nuk guxon as të organizojë referendum, atëherë duhet që vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje”, thuhet në komunikatën e opozitës./express/