Haradinaj: Të na mbështesin intelektualët, analistët, mediat – nesër mund të jetë vonë

Me vendimet dhe me veprimet e fundit të pushtetit, vendi ka kaluar në një krizë të thellë politike. Përjashtimi i Opozitës nga Kuvendi dhe invadimi i policisë në zyrat e një partie opozitare, janë të pashembullta për botën demokratike

Kështu ka vlerësuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili shton se qytetarët dhe aleatët e Kosovës kanë bërë shumë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe stabil, dhe askush nuk mund ta ketë të drejtën që ta rrezikojë të ardhmen e tij.

Ndërkaq, as veprimet e fundit të opozitës për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, Haradinaj nuk i ka cilësuar si popullore a demokratike.

“Ne si parti dhe si opozitë, jemi gjendur në një situatë të rëndë, të shkaktuar nga dy marrëveshjet që e rrezikojnë integritetin dhe rendin kushtetues të vendit. Jemi të vetëdijshëm se mënyra e kundërshtimit tonë nuk ka qenë as popullore e as demokratike, por ka qenë e vetmja mënyrë e mundshme”, ka pranuar Haradinaj.

“Sot Kosova është në udhëkryq, prandaj ajo ka nevojë për mbështetjen e opinionit publik, shoqërisë civile, mediave e analistëve si dhe të klasës intelektuale e politike të vendit. Sot është koha që të gjithë, pavarësisht përkatësisë politike, të vihen në anën e duhur. Nesër mund të jetë vonë”, ka përfunduar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.