Bajram Hasani nga NISMA për Kosovën në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka folur për kontestimin që i ka bërë opozita, edhe në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhjes së Hashim Thaçit president i vendit.
Hasani ka thënë se kërkesat e opozitës janë të qarta, duke nisur nga ajo për zgjedhje, deri tek vota e popullit për president të vendit, njofton Klan Kosova.
“Opozita e bashkuar ka bërë kërkesë për zgjedhje”.
“Ne kemi kërkuar edhe ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që presidenti të zgjidhet nga populli. Por ata nuk kanë dëgjuar dhe kanë vendosur që të thirrin seancë për ta zgjedhur presidentin”.
Sipas tij, në bazë të vendimit të marrë nga Kushtetuesja në rastin e presidentit Behxhet Pacolli, do të duhej që edhe zgjedhja e Thaçit të shpallet antikushtetuese. Këtë ai e ka bazuar edhe në faktin që deputetët e opozitës janë nxjerrë zvarrë dhe janë përjashtuar me vendin të Kryesisë së Kuvendit.
“Nëse nisemi nga vendimi i marrë në mars të vitit 2011 për rastin e Behxhet Pacollit, aty decidivisht thotë Kushtetuesja që Parlamenti duhet të jetë në përbërje të plotë – të gjithë deputetët duhet të jenë prezent gjatë zgjedhjes së presidentit”.
“Ne menojmë që edhe për përjashtimin e deputetëve duhet të ketë votim dhe jo ai të merret nga Kryesia, që nuk është në përbërje të plotë”.
“Nëse Kushtetuesja niset nga vendimi i vitit 2011 ka bazë ta anulojë zgjedhjen e Thaçit”.
Hasani ka thënë se vendimet e institucioneve të vendit duhet respektuar, megjithëse një pjesë e tyre janë të kapura nga pushteti. Ndërsa në rast të marrjes së mandatit nga Thaçi, zyrtari i NISMA ka thënë se do të thellohej kriza politike në vend, njofton Klan Kosova.
“Ne duhet t’i respektojmë institucionet e Kosovës, për atë i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese, megjithëse ka të tilla që janë të kapura”.
“Nëse gjykata merr vendim të ndryshëm nga ajo që pritet, ajo do ta thellojë krizën politike në vend”.
“Ne deri tani kemi pasur një rrugë për t’u ulur në tryezë të përbashkët me presidenten, ndërsa tani nuk ekziston as kjo mundësi”.
“Ndoshta Thaçi, nëse e merr mandatin, do të provojë që t’i ftojë liderët për dialog, por si mundet që një shkelës i Kushtetutës ta bëjë këtë gjë”.
“Mendojmë që gjykata do të sjellë një vendim të drejtë, megjithëse nuk e ka kredibilitetin e duhur”.
“Gjatë seancës për zgjedhjen e Thaçit u është bërë presion i vazhdueshëm deputetëve dhe ne mendojmë se është bërë edhe trafikim i votave”.