Hashim Thaçi: Opozita e dhunshme e ka uzurpuar Kuvendin

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi thotë se veprimet e opozitës janë të papranueshme derisa fton opozitën që shqetësimet që ka, t’i adresojë në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë për RTK’në ai ka thënë se këto veprime janë të dëmshme për shtetin.

“Janë të panevojshme, veprime të dëmshme për shtetin e Kosovës. Dhuna nuk zgjidhë ndonjë problem. Vetëm debati dhe dialogu janë ato që duhet të shtrohen në Kuvend. Metodat e opozitës janë të papranueshme”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se është i papranueshëm uzurpimi i dhunshëm i Kuvendit nga opozita.
“Është i papranueshëm uzurpimi i dhunshëm i institucioneve të vendit nga ky grup opozitar. Ky është një imazh i keq për vendin tonë. Kjo nuk ka qenë asnjëherë në traditën e politikës kosovare. Sido që të jetë Kuvendi po vazhdon punimet në sallën alternative. Nëse opozita ka shqetësime ato t’i sjellë në Kuvend dhe në asnjë rrethanë të ia mohojë informimin qytetarit të Kosovës prej qeverisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në takimet me Presidenten, kanë folur edhe për opozitën, por ka shtuar se opozita nuk është e interesuar për dialog.
“Kemi takime të rregullta me Presidenten, kemi diskutuar edhe për sjelljen e dhunshme të opozitës. Opozita ka refuzuar çdo dialog.  Është koha të bashkëpunojmë në një proces të konsolidimit të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.