Haziri: Donacioni i “Frutex” për pediatrinë e Gjilanit, përmirëson shërbimet në kujdesin ndaj fëmijëve të Anamoravës

Spitali Regjional i Gjilanit ka përfituar sot një donacion me disa shtretër për repartin e Pediatrisë nga kompania “Frutex”, vlera e të cilit është 17 mijë euro.

Në ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, drejtori i Spitalit Regjional, Besim Guda dhe pronari i “Frutex”, Shaqir Palushi.

“Është një donacion shumë i qëlluar, i rëndësisë së veçantë, duke pasur parasyshë edhe intencat e OBSH-së dhe të gjithë akterëve shëndetësor në Kosovë që prioritet t’i jepet pediatrisë, neonatologjisë dhe mirëqenies së gruas. Si menaxhment i spitalit, i themi faleminderit shumë sepse është donacion do të na shërbej shumë, është në të mirën e fëmijeve që do të mjekohen në repart dhe krejt kjo për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët tanë”, është shprehur me këtë rast drejtori i Spitalit Regjional, Besim Guda.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, falënderoi kompaninë “Frutex”, duke thënë se ky doancion do të zë vend në kujdesin ndaj fëmijëve në pediatri.

“E falënderoj kompaninë “Frutex” për këtë donacion të nevojshëm, për këtë sensibilizim, që do të zë vend në kujdesin ndaj fëmijëve në Pediatri, në Gjilan, meqë ky spital mbulon një regjion të madh të Anamoravës. E falënderoj, poashtu edhe menaxhmentin për angazhim dhe koordinim me donatorin dhe donatorët tjerë që Gjilanin e kanë vendosur në fokus të mbështetjes”, tha Haziri.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, ka shfaqur shpresën se ky donacion me shtretër do të ndikoj në përmirësimin e shërbimeve që ofron reparti i Pediatrisë.