Hollande: Duhet një koalicion unik anti-ISIS

Sulmet në Paris mund të ndryshojnë politikën ndërkombëtare dhe Perëndimi e Rusia mund të bashkojnë forcat kundër terrorit të ISIS-it.

Kjo u paralajmërua nga presidenti francez, Francois Hollande, i cili theksoi në fjalën e mbajtur para Parlamentit nevojën e ngritjes së një koalicioni të përbashkët ndërkombëtar.

Për këtë, Hollande njoftoi se brenda pak ditësh do të zhvillojë takime me presidentin amerikan, Barack Obama dhe atë rus, Vladimir Putin.

Këto takime të Hollande, që mbërrijnë pas takimit kokë më kokë mes Obamës dhe Putinit, ku në qendër të bisedimeve ishte pikërisht ISIS-i, mund të shërbejnë në zbutjen e toneve mes perëndimit dhe Moskës dhe bashkimit të forcave të tyre në shkatërrimin e objektivit të përbashkët; terrorizmit.

“Franca është në luftë. Këta vrasës nuk përfaqësojnë qytetërimin. Franca zotohet jo vetëm të luftojë, por të shkatërrojë të ashtuquajturin ISIS dhe për këtë do të përshkallëzojmë sulmet në javët e ardhshme”, deklaroi Hollande. Top Channel