Hoti: Bllokimi i Kuvendit, i ka shtyrë investimet dhe projektet e mëdha (Video)

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se bllokimi i punës së Kuvendit është kundër interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Ai ka thënë se bllokimi i punës nga opozita e ka shtyer implementimin e investimeve dhe projektet e mëdha.

“Vetë bllokimi i punës së Kuvendit është bllokim i institucioneve dhe është kundër interesave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Mendoj që opozita duhet të gjejë mënyra, forma për t’i artikuluar qëllimet e veta, të gjejë rrugë ligjore, kushtetuese për të nxjerrë në pah atë që mendon, jo të bllokoj punën, se kjo vetëm sa ka filluar të na kushtojë secilit.
Bllokimi i punës së Kuvendit e ka shtyrë së paku për gjashtë muaj mos edhe për një vit tjetër implementimin e investimeve dhe fillimin e projekteve të mëdha që po planifikojmë”, ka thënë Hoti në emisionin Euro Tribuna, në Tribuna Channel.

Hoti ka thënë se Kosova nuk mund të hyj në vitin 2016 pa buxhet të aprovuar. Kriza në Kuvend ka ndal miratimin e shumë ligjeve por se ligji për buxhetin është ligji qendror për vendin sepse determinon implementimin e ligjeve të tjera. “Madje është premtuar që buxheti shpejtë do bëhet 2 miliardë euro”.

Ministri ka folur edhe për deklaratën e të parit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se nuk bëhet vonë nëse buxheti aprovohet edhe në mars.

“Unë mendoj që mund të mos bëhet vonë për individ të caktuar nëse buxheti nuk aprovohet po për qytetarët, për bizneset, për ekonominë , për institucionet e vendit është vonë nëse hyjm në vitin 2016 pa buxhet të aprovuar. Ne kemi marr disa vendime sivjet siç është për kategorizimin e pensionistëve i kemi nda 23 milionë shtesë për këtë kategori dhe plot vendime tjera të cilat nuk mund të implementohen nëse buxheti nuk aprovohet, tha Hoti.

Hoti, gjatë intervistës ka folur edhe për Ligjin për financa publike si dhe për të hyrat që ka pasur vendi në periudhën janar-tetor. Me këtë rast, ai ka deklaruar se janë bërë kapërcime të mëdha.

Sipas tij, vetëm nga Administrata Tatimore ka pas rritje të të hyrave rreth 13 për qind, përderisa nga dogana 8 për qind.

Hoti, ndërkohë, ka treguar edhe sa përqind e buxhetit do të shkoi për ekonomi.