Agjencia shtetërore turke e lajmeve “Anadolou Agency” ka raportuar se 14 refugjatë, përfshi shtatë fëmijë, kanë humbur jetën pasi varka e tyre prej druri është përmbysur në brigjet veriore të detit Egje në Ayvacik.
Sipas agjencisë, 27 refugjatë të tjerë, përfshi edhe një grua shtatzënë, janë shpëtuar nga rojat bregdetare turke dhe tash janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë, zhytës dhe helikopterë janë vënë në kërkim për më shumë viktima në ujërat e Egjeut, transmeton KosovaPress.
Ayvacik është një ndër pikat kryesore kaluese drejt ishullit grek të Lesbos, ku është parë të hyjë një fluks i madh refugjatësh muajve të fundit.
Ndërkaq, sa i përket krizës me refugjatë që ka mbërthyer Evropën, gjatë ditës së sotme liderët evropianë dhe afrikanë kanë mbajtur një samit në Maltë ku ka kanë biseduar problemin.
Mediat e huaja raportojnë se BE-ja është shprehur e gatshme të ndajë fonde miliardëshe për vendet më të varfra afrikane në mënyrë që të ndalojnë refugjatët drejt Evropës.