Ibrahimi: Na duhen heronjë të drejtësisë

Në emisionin Zona B të Klan Kosovës, i ftuar i Baton Haxhiut ishte kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi.

Me Ibrahimin u diskutua në lidhje me të gjeturat e raportit të progresit, raport i cili ka vlerësuar se ka vërejtje të mëdha në sistemin e gjyqësorit.

Udhëheqësi i Gjykatës Themelore e ka theksuar se raporti i progresit duhet shikuar edhe në aspektet pozitive e jo vetëm te gjyqësori.

“Raporti i Progresit nxjerr disa vërejtje ndaj sistemi gjyqësor, por edhe disa të mira për Kosovën në përgjithësi. Raporti i progresit ka edhe vlerësime pozitive.”

“Kur flasim për sistemin gjyqësor, për drejtësinë në Kosovës duhet të kemi parasysh dy segmente.”

“E para është se sistemi i gjyqësorit në Kosovë duke marr parasysh rrethanat, punon më shumë se çdo institucion tjetër në Kosovë.”

“Problemi është se kur flitet për kaq shumë kritika që ipen, krijohet një perceptim që nuk po punohet asgjë, por nuk është kështu sepse kemi punuar shumë, por duhet edhe shumë për t’u bërë, “deklaroi Ibrahimi, njofton Klan Kosova.

Ibrahimi ka dhënë kritikat e tij në lidhje me funksionimin e drejtësisë në Kosovë, ai ka vlerësuar se duhet të aplikohet më shumë llogaridhënia.

“Duhet që llogaridhënies t’i qasemi në mënyrë më serioze. Do të duhej që puna e secilit të analizohej të shihej se ku është dhe a mundet të shkojë tutje përpara.”

Më tej ai ka shtuar se ka adresuar shumë kërkesa tek Këshilli Gjyqësor dhe se ka këmbëngulur në integritetin e tij moral dhe profesional, duke theksuar se nuk i detyrohet askujt dhe vepron pa frikë.

“Unë kam pasur kërkesa të vazhdueshme që të ketë angazhim më të madh në Këshillin Gjyqësor për ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve për gjykata, për ngritjen e kapacitetit material, që të kemi një buxhet që të jetë të paktën i përafërt me nevojat që kanë gjykatat.”

“Nuk jam person që i detyrohem dikujt për asgjë, jam person që i detyrohem vetëm qytetarëve, nuk jam person që ndikohem nga dikush.”

“Frika dhe ushtrimi i funksionit të kryetarit të Gjykatës nuk shkojnë bashkë. Secila kohë në secilin vend i kërkon heronjtë e vetë. Kosova ka nevojë për heronj të drejtësisë, që sakrifikohen për gjeneratat e ardhshme.”

“Ne mbulojmë shumë raste të rënda edhe të natyrës korruptive dhe nuk hezitojmë fare dhe frika nuk bën pjesë tek ne,” ka përfunduar Ibrahimi, njofton Klan Kosova./klan Kosova/