INTERVISTË: 6 shtylllat me të cilat Gani Neziri do ta udhëhiqte Gjilanin

G-Lan City ka realizuar intervistë ekskluzive me kandidatin e pavarur për Kryetar të Gjilanit z. Gani Neziri
Intervistën e plotë mund ta gjeni më poshtë:

– Pse keni kandiduar për Kryetar të Gjilanit?

Mbështetur në përvojën time 14-vjeçare në Administratën e Komunës së Gjilanit, nga të cilat, 8 vite kam qenë Drejtor në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, kam arritur të kuptoj nevojat reale të qytetarëve të Gjilanit dhe mundësitë për t’i realizuar ato.
Tani, lypset dije profesionale, vullnet pozitiv për punë dhe vendosmëri për të mos u dorëzuar para trysnive që vijnë nga para-politika për t’i penguar projektet e interesit qytetar.
Pra, duhet shkuar deri në fund të realizimit të projekteve kapitale në interes të qytetarëve pavarësisht nga pasojat anësore të bandave para-politike.
Unë kam ide, kam vullnet përkushtues dhe kam vendosmëri!
Prandaj kam paraqitur kandidaturën si i pavarur dhe nuk kam asnjë obligim ndaj grupacioneve partiake sikurse kanë kundër-kandidatët e mi.

Si e vlerësoni punën e kryetarit aktual dhe çka do të bënit ndryshe ju?

Puna e Kryetarit aktual i ka të mirat dhe defektet e saj.
E përshëndes për punët e mira që ka bërë por, unë do t’i bëja sigurisht më mirë.
Ka disa raste kur ai është dorëzuar nga bandat para-politike në ndërhyrje të projekteve për të mirën e përgjithshme të qytetarëve duke i shndërruar ato veçse në të mirën e grupacioneve.
Kujtoj se, pjesa me madhe e qytetarëve gjilanas e sidomos politikanët e qytetit të të gjitha partive e dinë që unë nuk dorëzohem para trysnive ngado që mund të vijnë ato.

Cilat janë projektet prioritare tuaja për Gjilanin?

1. Shtylla e parë është Arsimi.
Konsideroj se është baza e ndërgjegjes dhe kulturës kombëtare.

a) Rritja e numrit të institucioneve parashkollore nga 4 sa ka aktualisht në 10 sosh.
b) Ora mësimore do të jetë 45 minuta në të gjitha shkollat.
c) Rifreskimi i shkollave profesionale në raport me nevojat e tregut, në përputhje me ndërmarrjet prodhuese e përpunuese.
d) Mos përzierja e politikës në procesin arsimor dhe menaxherial ashtu si janë përzier të gjitha qeveritë komunale të derisotme në Gjilan. Veç gjitha të tjerave, kryetarët e komunës janë përzier edhe në zgjedhjen e pastruesëve të shkollave, të mos flasim për stafin profesional.
e) Psikologë në të gjitha shkollat (sidomos tani pas punëve akoma më të shtuara nga gjendja pandemike COVID 19)
f) Në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave do të ketë aksione rinore për humanizimin e natyrës duke mbjellë pemë në hapësirat e lira të qytetit.
g) Krijimi i Ditarit Elektronik Shkollor (nevojë domosdoshme e kohës).

2. Shtylla e dytë është Shëndetësia

a) Stimulimi financiar i stafit mjekësor si bazë motivuese e përkushtimit në punë, sidomos pas përpjekjeve të mundimshme për mbajtjen nën kontroll të pandemisë COVID 19.
b) Rritja e listës së barnave esenciale dhe sigurimi i rregullt i tyre.
c) Digjitalizimi i QMF-ve (qasje direkte në historikun e pacientit nga secili doktor).
d) Rifunksionalizimi i kujdestarive të natës, nga një QMF që është në lagjen “Dardania”, të shtohet edhe në lagjen “Arbëria” dhe fshatin Zhegër, pasi që vetëm një kujdestari nate nuk i përballon dot nevojat e gjithë qytetarëve gjilanas.
e) Renovimi i tualeteve nëpër QMF (të cilat janë në gjendje të mjerueshme).

3. Shtylla e tretë është Zhvillimi ekonomik

a) Mbështetje juridike ndërmarrjeve prodhuese dhe përpunuese.
b) Shkurtim i procedurave komunale administrative.
c) Zvogëlim ose lirim i plotë nga taksat komunale.
d) Firmat jashtë komunës së Gjilanit të cilat sjellin selinë e firmës në qytetin e Gjilanit për 5 vite do ta kenë taksën për 50% më lirë.

4. Shtylla e katërt; Planifikimi hapësinor

a) Zbatim 100% i planit rregullativ urban.
b) Krijimi i katër parqeve të reja (në “livadhet e arapit”, te liqeni Livoqit, te liqeni i Përlepnicës si dhe te Kodra e Dëshmorëve).
c) Rifunksionalizimi i parqeve (te salla e sporteve dhe te ish tregu i kafshëve në lagjen Arbëria dhe qendrës rekreative në lagjen “Dardania”).
d) Administrimi i pronës publike – komunale e cila aktualisht është në një stihi të pa parë. Krijimin e kushteve të administrimit të tokës në përgjithësi përfshi edhe pronën private dhe shoqërore.
e) Ambienti është gjithashtu përveç prioritet është edhe emergjencë. Në vitin e parë do filloi ndërtimi i impianteve të vogla të pastrimit mekanik, në mënyrë që në lumenjtë Morava, Mirusha, Stanishorka dhe Baja të eliminohen tërësisht ujërat e zeza, ndërsa Impianti modern i planifikuar do ti zëvendësoj këto impiante mekanike.

5. Shtylla e pestë; Shërbimet publike
Fatkeqësisht, premtime këto të përsëritshme që nga të gjitha partitë që qeverisën nga paslufta e deri sot.
a) Trajtimi i ujërave të zeza. (për Gjilanin dhe fshatrat e harruara)
b) Ndriçimi publik. (për Gjilanin dhe fshatrat e harruara)
c) Ujësjellësi. (për fshatrat e harruara)
d) Mbeturinat. (për Gjilanin dhe fshatrat e harruara)
e) Përfundimi i punimeve në “Tregun e gjelbër”.

6. Shtylla e gjashtë; Ristrukturimi i Administratës komunale

Konsideroj se është baza kryesore e mirë administrimit të të gjitha shtyllave të përmendura më lart. Ky nuk është vetëm prioritet por është domosdoshmëri e kohës, madje është emergjente

a) Sistemimi dhe përshkrimi i detyrave dhe përgjegjësive të punëve në Administratën komunale, duke harmonizuar funksionimin e shërbimeve komunale në favor të cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve për qytetarë si dhe zhdukjen në çdo formë të korrupsionit.
Do të ndërpriten abuzimet dhe keqpërdorimet të cilat janë të panumërta.
Administrata e organizuar dhe e menaxhuar mirë, do të krijojë kushte për një menaxhim urban profesional dhe të bazuar në kritere dhe standarde më të larta.

b) Transparenca dhe thjeshtësimi i procedurave për qytetarë është po ashtu një prioritet. Ketë do ta mundëson aplikimi i teknologjisë informative cilësore. Janë absurde situatat kur komuna kërkon nga qytetari dokumente “ me i marrë në komunë dhe me i dorëzua po në komunë”.
Do të krijohet INTRANET-ti (rrjeti i brendshëm i komunës) i cili mundëson qasjen e zyrtarëve komunal në dokumentacionin e nevojshëm që t’i përshpejtonte procedurat.

c) Në periudhën katër vjeçare, ndërtimi i një objekti të përbashkët për Administratën Komunale.

– Çka paraqitet tjetër në planprogramin tuaj?

Asgjë nuk është ë pamundur! Veçse duhet dije profesionale, vullnet e përkushtim për t’i kryer ato dhe guxim për t’i nisur e vendosmëri për t’i përfunduar projektet. Jo si në rastin e varrezave të qytetit që janë stërmbushur dhe kanë kaluar çdo afat të njerëzishëm dhe ende nuk guxojnë të finalizojnë projektin e vitit 2006, projekt ky që e ka nisur ish Kryetari Xhemajl Hyseni tani i ndjerë, pastaj Ish Kryetari Qemal Mustafa e deri më sot Lutfi Haziri ku edhe në vitin 2021 ende nuk e kanë përfunduar këtë projekt.
Do të jem i përkushtuar në afrimin e dy ministrive relevante për të vendosur Kampusin universitar në hapësirat aktuale të FSK-së duke e vendosur këtë të dytën në objektin modren të ndërtuar që moti nga shoqata “Miqtë e TMK-së” në lagjen e Zabelit. Hapësirë ideale kjo që është shfrytëzuar para lufte nga Armata jugosllave.
Do t’i përkushtohesha zgjerimit të rrugës së Malishevës që është ngarkuar me komunikacion të ngjeshur. Tani më ndërtimet e larta sa vijnë e po shtohen çdo ditë.

– Çka nëse nuk zgjidheni, a do të kontribuonit prap në ide dhe përkrahje të kryetarit të zgjedhur?

Absolutisht po! Ashtu si do të kërkoj unë mbështetjen me projektet e tyre që janë në dobi të qytetarëve të Gjilanit të cilat do t’i zbatoj kur të filloj qeverisjen e Komunës, ashtu do të ndihmoj cilindo qoftë që kërkon mbështetjen time. Këtë veçse e kanë të qartë të gjithë oponentët e mi.

– Cili është mesazhi juaj për votuesit?

Të mësohen ndjehen krejtësisht të lirë e të pavarur nga të gjitha partitë politike. Tani e njëzet vite me radhë me të njëjtat premtime kanë mbajtur pezull shpresat e çdo qytetari për një vend punë që kurrë nuk e kanë fituar.
Partitë politike zgjidhin veçse problemet e militantëve partiak dhe bandave të tyre para-politike dhe hiq kurrë nuk merren me zgjidhjen e problemeve të votueseve të çastit.
Lë ta dinë mirë gjilanasit se, kundërkandidatët e mi nga LDK- PDK – VV e AAK llogaridhënien e japin në Prishtinë, Llap, Drenicë e Dukagjin. I vetmi jam Unë që jap llogari para gjilanasëve .

Me respekt!
/G-Lan City/Gjilan.AL/

//zikroarg.com/4/5086363