INTERVISTË: Ekonomia, arsimi dhe rinia janë prioriteti i Alban Hysenit

G-Lan City ka realizuar intervistë ekskluzive me kandidatin për Kryetar të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, z. Alban Hyseni.

Intervistën e plotë mund ta gjeni më poshtë:

– Pse keni kandiduar për Kryetar të Gjilanit?

Nuk është e lehtë të shohësh, të përballesh e të jetosh cdo ditë me vështirësitë e Gjilanit. Për mua si prind i dy vajzave të mia, ka ardhur koha të mendoj se në çfarë kushtesh e rrethi dua që ato të rriten. Ky vetdijësim u kombinua me aktivitetin tim politik. Ndër vite, e kam rritur aktivitetin tim politik, duke kërkuar të bëhem zë dhe përfaqësues i denjë i qytetarëve. Besimi që ata më kanë dhënë veç e ka shtuar vetëdijen e intensitetin e punës duke adresuar të gjitha problematikat dhe çështjet kryesore të krejt Kosovës e më specifikisht Gjilanit. Kandidimi im është rezultat i një rritje graduale, ku tanimë ka ardhur koha të kalojë në fazën e kandidimit për kryetar të komunës së Gjilanit, për të sjellë me plot bindje, një shpresë e frymë të re.

– Si e vlerësoni punën e kryetarit aktual dhe çka do të bënit ndryshe ju?

Puna bazohet në rezultate, e ajo cka ne shohim në Gjilan, është lënie në harresë e fshatrave e lagjeve të qytetit. Por gjithsesi nuk është koha të flasim për të shkuarën, por për atë që na pret. Planprogrami jonë është i qartë e ne po e artikulojmë, diskutojmë e përhapim me të gjithë. Ajo çka unë do të bëja ndryshe, do ishte t’i përmbahesha programit e mos të përsërisja të njëjtat premtime që nuk gjejnë zgjidhje me vite. Nuk është serioze, të mos kesh program e të përsërisësh po të njëjtat fjalë e rreshta në planprograme. Banorët e Gjilanit nuk e meritojnë këtë. As mungesën e debatit e përballjeve televizive sidomos tani që jemi dy kandidatë kundër njëri tjetrit. Gjilani kërkon përballje e zgjidhje të problemeve, jo vazhdimin e evitimit të tyre.

– Cilat janë projektet prioritare tuaja për Gjilanin?

Ndërlidhja që ne e bëjmë mes pikave të ndryshme programore nuk është e rastësishme. Është mënyra se si ne synojmë laramani dhe gjithëpërfshirje, që e bën dhe ofertën tonë më interesante dhe më të përshtatshme për mandatin 4 vjecar që na pret. Ekonomia, arsimi dhe rinia janë një ndërthurje e pikave programore, që krijon një zinxhir zhvillimor, i cili sjell hapësira për shtrirje të qëndrueshme në hapësirë dhe kohë. Më konkretisht, zona ekonomike, hapja e hapësirave për start up e përkrahje të rinisë dhe katapultimi nga sistemi arsimor në treg punë nëpërmjet shkollave profesionale. Theks të veçantë i kemi dhënë edhe skemave të subvencionit të produkteve të ndryshme, në kuadër të planit për sektorin e bujqësisë.

– Çka paraqitet tjetër në planprogramin tuaj?

Transparenca e shërbimeve publike dhe administratës është një nga aspektet kryesore të qeverisjes sonë, për realizimin e së cilës ne do të publikojmë shpenzimet e administratës komunale. Ne poashtu do të fokusohemi në qendrat rekreative përgjatë Gjilanit, si ndërtimin e qendrave të mëdha rekreativo-sportive tek liqeni në Livoç dhe në Përlepnicë, mbjellja e brezit të gjelbër në rrethinën e qytetit, dhe gjepave të gjelbër nëpër lagjet e Gjilanit. Shërbimi mamografik, ngritja e Qendrës Covid e pakoja e kompensimeve në vlerë 100 euro për shpenzimet e nënave të reja janë vetëm disa nga shtyllat e sektorit të shëndetsisë. E fundit, por jo për nga rëndësia është dhe fokusi që e kemi në ndërtimin e stadiumit të qytetit.

– Çka nëse nuk zgjidheni, a do të kontribonit prapë në ide dhe përkrahje të kryetarit të zgjedhur?

Gjilani është prioritet dhe angazhimi im politik bazohet në kërkimin e zhvillimit dhe avancimit të Gjilanit në të gjitha fushat. Nuk ka rëndësi pozita ku ndodhemi, ajo që duhet të na japë shtysën të bëjmë mirë e të zgjedhim të duhurën, është dashuria për qytetin. E konsideroj veten me fat, që gëzoj përkrahjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, miqve, dashamirësve e krejt banorëve të Gjilanit, për kandidaturën time. Është koha ta shohim të ardhmen drejt e të bëhemi gati për bashkëqeverisjen e pas 14 Nëntorit.

– Cili është mesazhi juaj për votuesit?

Shfrytëzojeni në maksimum të drejtën tuaj për të votuar. Zgjedhja juaj është e lirë e ju jeni përcaktuesit dhe aktorët kryesorë të së ardhmes. Zgjidhni në bazë të opinionit tuaj e zgjidhni drejt, siç e mendoni të ardhmen e Gjilanit. Jeni ju qendra e vëmendjes gjatë fushatës e në ditën e votimit, e tashmë, ka ardhur koha që të vazhdoni të jeni në fokus, edhe pasi mbyllen zgjedhjet elektorale, me një za të ri e udhëheqje të re. /G-Lan City/Gjilan.AL/