Intervistë | Viola von Cramon: Liberalizimi i vizave – moment historik

Liberalizimi i vizave është një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës, thotë në një intervistë për Albanian Post, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo shprehet e lumtur që më në fund, pas më shumë se një dekadë pritjeje, qytetarët e Kosovës s’do ta kenë më barrën burokratike e të tejzgjatur të pajisjes me vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Eurodeputetja gjermane nga radhët e të Gjelbërve, thotë se procesi i liberalizimit të vizave e ka dëmtuar shumë reputacionin e BE-së në Kosovë, ndërsa shton se do të duhet shumë punë për ta rikthyer sërish besimin.

Von Cramon ndër të tjera thotë se heqja e regjimit të vizave s’ka të bëjë asgjë me Marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ngase sipas saj, këto janë dy procese krejtësisht të ndryshme.

Sa i përket kritikave se hapja e kufirit rrezikon të inkurajojë emigracionin ose të hapë rrugën drejt migrimit të paligjshëm, duke marrë parasysh situatën socio-politike në Kosovë, ajo thotë se i takon institucioneve të punojnë në këtë drejtim.

Një element tjetër me rëndësi që del nga ky proces, sipas von Cramon, është fakti se liberalizimi i vizave mund të jetë me të vërtetë një nxitje për serbët e Kosovës që të pajisen me dokumente të Kosovës.

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo do të thotë se procedurat vendimmarrëse për këtë çështje tani do të përmbyllen. Gjithashtu, miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe hyrja në fuqi e tij.

Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Premtimet e shpeshta të politikanëve kosovarë se liberalizimi i vizave do të ndodhte “shumë shpejt”, gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive në Prishtinë ishin vetëm disa nga zhvillimet kryesore që karakterizuan procesin.

Intervisa e plotë e Albanian Post me Viola von Cramon – Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian:

Albanian Post: Ju keni avokuar dhe njëkohësisht keni bërë punë të palodhshme për të arritur liberalizimin e vizave për Kosovën. Tani, pritet që ju ta mbyllni këtë çështje gjatë kësaj jave historike për vendin. Si ndiheni dhe çfarë mesazhi keni për popullin e Kosovës?

Viola von Cramon: Jam shumë e lumtur që më në fund mund ta mbyllim këtë kapitull dhe t’u japim të gjithë qytetarëve të Kosovës atë që kanë merituar kohë më parë. Vërtet ishte shumë e vonuar, por e rëndësishme që kemi një lajm pozitiv – qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm që nga 1 janari 2024, pa asnjë kusht. Prandaj, mesazhi im kryesor është – Gëzuar lirinë e lëvizjes të dashur kosovarë, gëzojeni plotësisht!

Albanian Post: Pse ky proces u bllokua për më shumë se një dekadë dhe a mendoni se tani do të rikthehet besueshmëria e kosovarëve te BE-ja? Si duhet ta lexojnë këtë kosovarët – si një barrë burokratike që tashmë është tejkaluar apo një moment historik në integrimin evropian të Kosovës?

Viola von Cramon: Kjo e ka dëmtuar shumë reputacionin e BE-së dhe do të na duhet shumë më tepër për ta rikthyer atë. Megjithatë, është e rëndësishme që ne kemi filluar ta bëjmë këtë duke përmbushur premtimet tona. Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën u bllokua për shkak të shqetësimeve për çështje të ndryshme si krimi i organizuar, korrupsioni dhe migrimi ilegal. Megjithatë, autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të adresuar këto shqetësime dhe për të përmbushur kushtet e nevojshme të vendosura nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Besueshmëria e BE-së në sytë e kosovarëve mund të jetë vënë në pikëpyetje për shkak të vonesës së zgjatur, por arritja e kësaj marrëveshjeje duhet të ndihmojë në rikthimin e një pjese të saj. Është me të vërtetë një moment historik dhe i rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës dhe kosovarët duhet ta shohin atë si të tillë. Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm nëpër zonën Shengen, duke lehtësuar kështu tregtinë, turizmin dhe shkëmbimin kulturor.

Albanian Post: A ishte liberalizimi i vizave shpërblim për konstruktivitetin e treguar në dialogun e Lehtësuar nga BE-ja dhe pranimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo këto janë dy procese të ndryshme që nuk janë të ndërlidhura?

Viola von Cramon: Liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me dialogun e lehtësuar nga BE-ja apo Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë dy procese të veçanta dhe secili duhet të jepet sipas meritave të veta.

Albanian Post: Disa kritikë sugjerojnë se hapja e kufirit të zonë e Shengenit rrezikon të inkurajojë më shumë emigracion ose të hapë rrugën drejt migrimit të paligjshëm, duke marrë parasysh situatën socio-politike në Kosovë. A kanë të drejtë kritikët?

Viola von Cramon: Marrëveshja për liberalizimin e vizave vjen me kushte që Kosova duhet të vazhdojë t’i zbatojë, siç janë zbatimi i kontrollit efektiv kufitar dhe masat për parandalimin e migrimit të parregullt. Rreziqet e migrimit të paligjshëm dhe abuzimit të sistemit janë gjithmonë të pranishme. Megjithatë, është thelbësore të pranohet se situata socio-politike në Kosovë vazhdon të përmirësohet dhe duhet të bëhen përpjekje të vazhdueshme për të siguruar stabilitet.

Albanian Post: A do të ndikojë liberalizimi i vizave edhe në lehtësimin e jetës së serbëve të Kosovës dhe gjithashtu t’i inkurajojë ata t’i bashkohen një sistemi, sovranitetin e të cilit ata kanë hezituar ta mbështesin? A mendoni se tani do të rritet kërkesa për pasaporta të Kosovës?

Viola von Cramon: Marrëveshja për liberalizimin e vizave vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike. Sa i përket kërkesës për pasaporta të Kosovës, ajo mund të rritet si rezultat i liberalizimit të vizave, por është e vështirë të parashikohet se sa do të rritet. Serbët e Kosovës nuk mund të udhëtonin me pasaportat e tyre serbe nëpër zonën Shengen, kjo mund të jetë me të vërtetë një nxitje që ata të marrin dokumentet e Kosovës. /albanianpost/