Ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviç, ka thënë për rrjetin ballkanik të lajmeve N1 se Marrëveshja e Brukselit është akti i parë i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga regjimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Është e vërtetë që në 10 vjet nuk ka ndodhur asgjë nga ajo që është nënshkruar, por pyetja është se çfarë duhet të ndodh. Edhe insistimi për Asociacionin është njohje e Kosovës. Marrëveshja e Brukselit është legalizimi i shkëputjes së Kosovës”, ka vlerësuar Zhivkoviç.
Duke komentuar tezën e qeverisë se nëse nuk do të kishte marrëveshje të Brukselit, nuk do të kishte as investime të huaja, ai thotë se edhe para marrëveshjes ka pasur investime.
Zhivkoviç shton se deri në vitin 2004, shqiptarët nuk lejoheshin të thoshin asnjë fjalë për Kosovën e pavarur, “pogromi filloi 15 ditë pasi ia dorëzova pushtetin Vojislav Koshtunicës dhe ata shpallën pavarësinë pesë vjet më vonë”.
Ai gjithashtu mendon se është “marrëzi” të mendohet që formimi i Asociacionit do të zgjidh diçka, “me këtë ju e njihni pavarësinë e Kosovës”.
I pyetur se “pse shqiptarët e Kosovës nuk do ta formojnë atë”, ai thotë se janë “më të fortë se lidershipi serb në skenën ndërkombëtare politike dhe diplomatike, pavarësisht se çfarë thotë Vuçiç”.
Ish-kryeministri serb thekson se Kosova është e pavarur edhe pse “ne nuk e njohim”.
“Daçiç dhe Vuçiç e pranojnë de fakto se përfaqësuesit e tyre janë pjesëmarrës në qeverinë e Kosovës. Daçiç nënshkroi marrëveshjen e Brukselit me Hashim Thaçin i cili tani është në Hagë”, thotë ai. /albanianpost/