Ish-MUP-ovcat në grevë urie, shpresat i mbajnë te Vuçiq

Pasi kanë konstatuar se shteti serb nuk i ka realizuar kërkesat e tyre siç janë marrë vesh më parë, mbi 100 ish-punonjës të MUP-it të Serbisë nga Kosova kanë nisur të mërkurën një grevë të urisë. Greva, sipas tyre, do të zgjasë deri në zgjidhjen e statutit të tyre juridik

Kishin pritur se shteti serb do t’i mbante premtimet, se do të gjente zgjidhje për rastin e tyre dhe se do të realizonte kërkesat e tyre. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur. Prandaj, mbi 100 ish-punëtorë të MUP-it të Serbisë kanë nisur të mërkurën një grevë urie. Sipas njoftimit, greva, e cila vjen pas një proteste që kanë organizuar para objektit të Zyrës për Kosovën në veri të Mitrovicës, do të zgjasë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Rajko Shekullarac, koordinator i grupit të punëtorëve të MUP-it serb nga Kosova, ka thënë se afati optimal gjatë të cilit ata kanë pritur të zgjidhen problemet dhe realizimi i kërkesave të tyre ka kaluar, andaj kanë vendosur ta nisin grevën e urisë.

“Ne, më 10 nëntor përkohësisht kemi ndërprerë protestat, sepse atëherë kemi pasur takim me ministrin e Policisë, Nebojsha Stefanoviq, dhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq. Nga ata kemi marrë premtime se do të fillojnë realizimin e kërkesave tona. Afati optimal që kemi pritur të plotësohen kërkesat tona ka kaluar. Në këtë mënyrë, sot kemi vendosur t’i vazhdojmë protestat dhe ta nisim grevën e urisë, e cila do të zgjasë derisa të plotësohen kërkesat tona”, ka thënë ai në një deklaratë për gazetarë në veri para fillimit të grevës./Zeri