Ish-Nënkryetarit të Vitisë i Vjetrohet Lënda

Prokurori Afrim Shefkiu sot hoqi dorë nga ndjekja penale e ish-nënkryetarit të Vitisë Xhevat Bislimi.

Përpara se të heqë dorë nga kjo ndjekje, prokurori Shefkiu ndryshoi veprën penale për të cilën në këtë proces akuzoheshin Xhevat Bislimi dhe zyrtari i prokurimit në Viti Abdulla Emini.

“Në këtë rast ne kemi konkluduar se duhet të bëhet ndryshimi i dispozitivit të aktit akuzues dhe nga vepra penale keqpërdorim i detyrës zyrtare ricilësimi do bëhet në veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare,” tha prokurori Shefkiu.

Gjykata Themelore në Gjilan e pranoi këtë ricilësim të veprës penale, ndërsa vepra e ricilësuar për Bislimin e Eminin tashmë është vjetërsuar.

Xhevat Bislimi akuzohej se në janar të 2009 në cilësi të nënkryetarit të komunës së Vitisë ka lidhur marrëveshje me zyrën projektuese “Geodesy Project” në kundërshtim me rregullat e tenderimit, ashtu që ka leju pagesën e punëve të pa kryera në shumë prej 3,000 eurove.

Ndërsa i pandehuri Abdulla Emini në cilësi të zyrtarit të prokurimit publik ka qenë i obliguar ta ndalojë këtë marrëveshje, por sipas prokurorisë ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Ata të dy akuzoheshin se me këto veprime kanë kryer veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare. Për një vepër të tillë me Kodin Penal parashihet dënim nga 6 muaj deri në 5 vjet/kallxo.com/