Ismet Beqiri thotë se Kerry rikonfirmoi mbështetjen e ShBA-ve

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ditën e sotme në Kosovë e cilëson si të veçantë, në të cilën John Kerry është një nder për shtetin e Kosovës.

Sipas Beqirit, kjo ishte edhe një dëshmi dhe ri-konfirmim i mbështetjes së fuqishme të Amerikës për Kosovën, në rrugëtimin e Kosovës në shtet-ndërtimin e saj.

Beqiri tha se mesazhet e sekretarit Kerry ishin shumë të qarta, ishin mesazhe të përkrahjes së rrugëtimit të Kosovës në ndërtimin e shtetit me synime të qarta, reale, për integrim euro-atlantik, transmeton ksp.

“Edhe një herë u ri-konfirmua ajo që është thënë edhe më herët, në forma të ndryshme, me deklarata të ndryshme, në Prishtinë, nga njeriu kompetent, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përkrahin, nuk mbështesin asnjë marrëveshje e cila dëmton sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Dhe, po ashtu, u tha shumë qartë, zëshëm, se vendi për të debatuar për të gjitha çështjet është Kuvendi i Kosovës dhe nuk është Kuvendi ai ku pengohet fjala e lirë, nuk është vendi ku hedhet gazi lotsjellës, dhe këtë e kemi thënë vazhdimisht, ne jemi të hapur për të biseduar, për të dëgjuar edhe palën tjetër për të argumentuar atë çka e thonë”, tha Beqiri.

Beqiri tha se mbështetja e shtetit të fuqishëm të Amerikës, është një inkurajim i madh për Kosovën.

“E ri-konfirmojë atë që presidenti Rugova e ka thënë, i cili sot ka ditëlindjen e 71-të, që Kosova do të ketë, dhe duhet të ruaj miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Beqiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, gjithashtu tha se kolegët e tij nga partitë opozitare duhet t’i kthehen debatit në Kuvend, derisa përsëriti që janë të gatshëm për dialog.

“Besoj që gradualisht edhe kolegët nga opozita duhet t’i kthehen punës në Kuvend dhe do të heqin dorë nga dhuna, pasi kjo është e dëmshme për të ardhmen e vendit”, tha Beqiri për KosovaPress.