Ivanoviq thotë se gjatë luftës asnjëherë nuk ka veshur uniformë

Lideri i Iniciativës Qytetare ‘Serbia, Demokracia, Drejtësia’ (SDP) Oliver Ivanoviq, ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në veri të qytetit, dëshminë lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij dhe katër personave tjerë të dyshuar për krime lufte të kryera gjatë viteve 1999 – 2000 në Mitrovicë.

Ivanoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Nebojsha Vllajiq, dha dëshmi për pafajësinë e tij, duke thënë se asgjë nuk kishte dashur të ndryshojë nga deklarata të cilën e kishte dhënë para prokurorit ditën kur ishte marrë në pyetje.

Sipas tij, gjatë periudhës së luftës, përkatësisht nga data 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999, ai kishte punuar në Fabrikën e ‘Ferronikelit’ si zëvendës drejtor, ku është dashur të jetë çdo ditë në punë edhe pse ishte gjendje lufte.

Ai po ashtu tha se gjatë luftës kishte udhëhequr një biznes privat me artikuj të ndryshëm ushqimorë.

Ivanoviq deklaroi se gjatë luftës nuk ka pasur asnjë pozitë ushtarake, policore, apo ndonjë pozitë tjetër politiko-shoqërore.

“Nuk kam veshur asnjëherë gjatë luftës ndonjë uniformë ushtarake apo policore, dhe detyra ime ka qenë të lajmërohem në punë për çdo ditë. Në punë kam qenë edhe ditën e 14 prillit, ku sipas aktakuzës kanë ndodhur disa vrasje për të cilat thuhet se kam qenë pjesëmarrës ”, ka thënë mes tjerash Ivanoviq.

Ai sqaroi se gjatë viteve 1997 dhe 1998, si pjesëtar rezervë e policisë që ishte, ka marrë pjesë disa herë në ushtrime, sikurse edhe çdo qytetar tjetër, mirëpo prej marrjes së postit të zëvendës drejtorit të Ferronikelit, përkatësisht nga janari i vitit 1999, asnjëherë nuk kishte bartur më ndonjë uniformë.

Ivanoviq po ashtu ka bërë të ditur se nga janari i vitit 1999 ka qenë anëtar i organizatës ‘Këshilli Nacional serb’, që ishte i përbërë kryesisht nga intelektualë serbë, dhe kundër regjimit të atëhershëm të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa pas luftës, për dy mandate ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës, prej vitit 2001-2007.

Në lidhje me natën e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 kur në veri të Mitrovicës ishin vrarë disa shqiptarë, Ivanoviq tha se ka qenë në banesën e tij dhe nuk ka dëgjuar ndonjë shpërthim.

Mirëpo, shtoi ai, më vonë kishte vërejtur shumë njerëz nëpër rrugë dhe kishte dal për t’u informuar për atë se çfarë kishte ndodhur.

“Ka qenë gjendje kaotike. Më shumë se 2 mijë njerëz kam parë nëpër rrugë dhe autoambulanca me të plagosur e të lënduar duke shkuar në drejtim të spitalit. Kam shkuar në spital për të kuptuar më shumë se çka ka ndodhur dhe sa njerëz janë plagosur. Jam kthyer pastaj në shtëpi dhe i kam parë të gjithë brenda, duke përfshirë edhe fëmijët, të cilëve u kam sugjeruar të mos dalin atë natë fare.
Kam dëgjuar atë natë po ashtu të shtëna armësh dhe shpërthime, por nuk e di nga cila anë kanë ardhur ato”, theksoi Ivanoviq, duke shtuar se gjatë asaj nate ka zbritur nga banesa herë-herë dhe ka qëndruar kryesisht para hyrjes së ndërtesës, dhe jo më larg.

Avokati i vikti mave të luftës, Burhan Maxhuni, tha për KosovaPress se të gjitha provat e deritashme dëshmojnë se Ivanoviq ka kryer veprat për të cilat ngarkohet dhe ai duhet të marr dënimin e merituar.

Maxhuni: Provat dëshmojnë se Oliver Ivanoviq ka kryer veprat

“Çdo i akuzuar apo i pandehur gjithmonë i kundërshton aktakuzat, mirëpo në anën tjetër, të gjitha provat tjera dëshmojnë se Oliver Ivanoviq ka kryer veprat për të cilat është i akuzuar dhe kjo i mbetet Trupit Gjykues t’i shqyrtojë këto prova dhe të jep dënimin e merituar rreth këtij rasti”, ka thënë Maxhuni.

Ndryshe, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, politikani serb nga veriu akuzohet për krime lufte në Kosovë me shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare të luftës, për vrasjen e personave në baza nacionale, si dhe për ushtrim torture.

Përveç Ivanoviqit, i cili u arrestua më 27 janar të vitit 2014, katër të akuzuarit e tjerë në këtë rast janë Dragolub Delibashiq, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq, si dhe Aleksandar Llazoviq./koha