Mediat serbe e kanë marrë shumë afër zemrës pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Ballkanik të Taekëondos, i cili do të mbahet pikërisht në Zrenjanin të Serbisë.
“Skandal: Shteti i rremë i Kosovës në Zrenjanin”, ka shkruar e përditshmja serbe, “Vesti”, në versionin e tij online, përcjell Zëri.
“Shokuese: Sportistët e Kosovës në evenimentin që mbahet në Zrenjanin”, ka shkruar “Mondo.rs”.
Ndërkohë, mediat tjera serbe, fillimisht në mëngjes e konsideronin po ashtu si skandaloze pjesëmarrjen e Kosovës dhe faktin se në Serbi do të valojë flamuri i Kosovës dhe se do të intonohet himni i saj, shkruan Zëri.
Por, në orët e pasdites, “B92”, “N1info”, Vecernje Novosti” etj, janë ngushëlluar me faktin se Kosova mund të marrë pjesë pa simbole shtetërore dhe himn, duke shkruar për këtë punë më shumë.
Sidoqoftë, ky eveniment do të mbahet të shtunën dhe të dielën, ndërsa do të jetë interesante të shihen atje edhe garuesit nga Kosova dhe Shqipëria.