Në një ceremoni rasti të organizuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, është nënshkruar mbrëmë marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike si dhe marrëveshja për lëvizje pa viza në mes të Republikës së Kosovës dhe Federatës së Saint Kitts and Nevis.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Saint Kitts dhe Nevis do të forcojnë marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror. Palët janë pajtuar gjithashtu të vazhdohet tutje me intensifikimin e komunikimit politik dhe mbështetjen reciproke në marrëdhëniet e përgjithshme ndërkombëtare.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës së Saint Kitts and Nevis në Kombet e Bashkuara, Sam Terrence Condor, është zotuar se do të ushtrojë ndikimin e ti dhe të qeverisë së shtetit që ai përfaqësonë në procesin e lobimit për njohje të reja nga vendet e Karaibeve si dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, raporton Telegrafi.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga i Ngarkuari me punë në Konsullatën e Përgjithshme në New York, Ylber Kreziu, dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës së Saint Kitts and Nevis në Kombet e Bashkuara, Ambasadori Sam Terrence Condor.
Pas kësaj marrëveshjeje, arrin në tetëdhjetë numri i shteteve me të cilat Kosova ka hyrë formalisht në marrëdhënie diplomatike. /Telegrafi/
Ja ku gjindet Saint Kitts and Nevis në hartë