Ja kush do ta këndojë himnin e shenjtërimit të Nënë Terezës

Eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan, do të jetë ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Data 4 shtator do të shënohet në kalendarin apostolik, pikërisht si dita e shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës. Himni kushtuar Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, kompozuar nga Genc Tukiçi, do të interpretohet më 3 shtator në Vatikan në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës.

Himni do të interpretohet nga sopranoja e njohur Inva Mula, së bashku me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës, drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj. Është kurorëzim i idesë dhe punës së palodhur të gazetares Dijana Toska, e cila mundësoi që “Valsi Hyjnor” të interpretohet në Vatikan”, shkruante dje Genc Tukiçi, në faqen e tij në “Facebook”.

“Kemi rastin historik si komb dhe shtet që ta dëshmojmë veten dhe të hapim një faqe të ndritur të historisë sonë, kur miliona njerëz nga rruzulli tokësor do të përcjellin Shenjtërimin e Nënës Terezë. Ky është një rast historik dhe i papërsëritshëm në historinë e kombit shqiptar. “Valsi Hyjnor” do të jetë një dhuratë për njerëzimin nga shpirti shqiptar, si dëshmi e dashurisë sonë të madhe ndaj njerëzimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë”, shkruan Dijana Tosku, ideatorja e këtij himni, në rrjetin e saj social, shkruan “Mapo”.

Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan./Zhurnal