Shpëtim dhe Marenglen Hida nuk munden me t’i mbanin lotët kur u takuan me grupin e gazetarëve të emisionit “Varr pa emër” të televizionit holandez SBS.
Pas 19 vjetësh pritje, mësuan se nëna e tyre është vrarë. Janë djemtë e Zyra Hidës, një të reje shqiptare që u gjet pa jetë në një nga sheshet kryesore të Amsterdamit, Korrikun e vitit 1997.
Historia e saj u publikua një ditë më parë në Televizionin Klan, si pjesë e përpjekjeve të këtij grupi gazetarësh hollandezë, për ta identifikuar, në kërkimet e të cilit ndihmoi gazetari i Televizionit Klan, Bernard Pecnikaj.
Ajo është varrosur në Amsterdam në mesin e 300 viktimave pa emër. Djali i saj i madh, 31 – vjeçar, thotë se e ka njohur menjëherë, sapo e ka pare foton e saj në edicioni e lajmeve në Televizionin Klan.
Shpëtim Hida: Duke parë lajmet, i thashë nuses: “Kjo më duket se është mamaja ime”. – “Jo, nuk e besoj”, – tha nusja. “Po, po” – i thashë. Në atë kohë dola tek interneti, pashë fotot, mora dhe fotografitë, e verifikoj me gjithë foton dhe them, ajo është. Vjen dhe vëllai, i them dhe vëllai. Pastaj marrim në telefon tezen, lajmërojmë ata të familjes.
Kontaktet me nënën e tyre i kishin humbur një muaj para se ajo të zhdukej, në Qershorin e ’97 -ës. E dinin që jetonte në Romë. Prej atje u kishte dërguar disa herë para dhe këto dy foto.
Shpëtimi: Është nëna jonë.
Gazetari: Si e ka emrin?
Shpëtimi: Zyrah Hida. Nuk e dinin, nuk e kishim idenë nëse ekzistonte, ishte gjallë apo vdekur. Që në ’95 nuk e kishim idenë fare se ku ishte. Në ’97 u bë e gjallë, merr në telefon, ndërkohë na sjell disa lekë, herën e parë, herën e dytë. Na sjell edhe këto fotografitë. Herën e tretë, tha që do t’ju sjell lekë, nuk morëm më asnjë kontakt mbrapa, as lekët, as kontakt më me atë.
Në njërën prej këtyre fotografive ajo shfaqet nën shoqërinë e një burri. Djemtë kujtojnë se nëna e tyre i kishte thënë babait të saj, që ai quhej “Titi”. Jetonte me të në Romë.
Shpëtimi: Ky është personi që ka qenë i fundit me atë…
Shpëtimi: Nga sa mbaj mend, emrin më duket se e ka Titi dhe më duket se është nga Fieri.
Gazetari: Këtë shtetas nuk e keni parë më në Elbasan?
Shpëtimi: Nuk e kemi parë, nuk e dimë se ku jeton dhe se nga bëhet.
Gazetari: Keni dyshime se ky mund të jetë personi që mund të ketë dijeni për fatin tragjik të jetës suaj?
Shpëtimi: Nuk e dimë, nuk mund të themi. Por që është ky personi i fundit që ka qenë me të kur kemi pa ne kontakte, ky është.
Djemtë e Zyrah Hidës kishin bërë disa herë përpjekje për të mësuar se fat kishte pësuar nëna e tyre. I ishin drejtuar policisë së Elbasanit.
Gazetari: Ju kur e keni bërë denoncimin si familje?
Shpëtimi: Në ’97, ka qenë Drejtor Mond Koseni, mesa mbaj mend unë. Dhe kemi bërë 2,3 herë denoncim aty por nuk na kanë dhënë asnjëherë asnjë lloj informacioni…
Gazetari: Tani, autoritetet shqiptare kanë një tjetër sfidë. Duhet të zbulojnë nëse është ky personi që ka gisht në vrasjen e Zyra Hidës?
Shpëtimi: Duhet ta zgjidhi, shteti, qeveria këtë punë, duhen kap personat.
Familja e Zyra Hidës kërkon që të paktën të ndihmohet edhe për të kthyer në Elbasan eshtrat e saj.
Shpëtimi: Si shteti, shqiptar, si ai hollandez, të na ndihmojnë për të kthyer trupin e nënës sonë. Këtë kërkojmë.
Gazetarët e emisionit “Varr pa emër”, me ndihmën e autoriteteve hollandeze, do të krahasojnë edhe ADN –në e djemve me atë të gruas që u gjet e vrarë Korrikun e vitit ’97, si pjesë e procedurës.
Zyrah Hida, e lindur më 21 Korrik të vitit 1966, nëna e tre djemve, ishte ndarë nga bashkëshorti i saj, Petrit Bani, në vitin 1995. Në Itali ishte ndaluar dy herë nga policia, ku kishte lënë shenjat e gishtave. Kur u gjet e vrarë në Amsterdam, ishte vetëm 31 – vjeç. /Tv Klan