Ja pse Ramush Haradinaj nuk po merr pjesë në protesta në mbrojte të Albin Kurtit

Paraqitja e Albin Kurtit në foltoren e manifestimit të sotëm duket se ka hidhëruar tej mase Ramush Haradinaj prandaj në protestat për lirimin e Kurtit nuk po merr pjesë as Ramush Haradinaj e as aktivistët e AAK-së.

Kur Albin Kurti doli në foltore, Ramush Haradinaj duket se u ndje jo vetëm i befasuar por edhe „i tradhëtuar“. Në takimin e  fundit mes liderëve opozitarë, të tre liderët Visar Ymeri, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj ishin marrë vesh që në manifestimin e sotëm të mos merrte pjesë Albin Kurti e madje as që të merrte fjalën. Krejt kjo ishte bërë me insistimin e Ramush Haradinajt dhe me qëllim që të mos provokohej situate dhe me qëllim që ky manifestim të kalonte krejt paqësor. Por gjërat ndryshuan kur Albin Kurti u shfaq në manifestim dhe kur ai mori fjalën.

Sipas burimeve të Botapress-it brenda AAK-së thonë se Ramush Haradinaj është ndjerë I ofenduar e madje edhe “I tradhëtuar” nga Vetëvendosja prandaj as ai personalisht e as aktivistët e AAK-së përfshirë edhe ata të Nismës nuk u janë bashkuar aktivistëve të Vetëvendosjes në protestat në mbrojtje të Albin Kurtit.

“Po, Vetëvendosje dhe Albin Kurti e ka shkelur marrëveshjen mes liderëve opozitarë prandaj edhe për AAK-në manifestimi ka përfunduar në mënyrë paqësore dhe gjithëçka që ndodhë tash e tutje nuk ka të bëjë fare me AAK-në” ka thënë për Botapress një zyrtar i AAK-së në kushte anonimiteti.

Të shtojmë se po dje sekretari i Nismës Bilal Xhaferi deklaroi se po të ishte në vend të Albin Kurtit nuk do të merrte pjesë në manifestimin e 28 Nëntorit.