Ja sa pasuri ka lënë Bin Ladeni në testamentin e tij

Osama Bin Laden ka lënë një pasuri personale prej rreth 29 milionë dollarësh amerikanë pas vdekjes së tij në një operacion të forcave amerikane më 2011, tregon testamenti i tij.

Testamenti është pjesë e një mori dokumentesh që u janë dhënë mediave amerikane të martën, transmeton Gazeta Express.

Ato janë konfiskuar gjatë operacionit amerikan në Abotabad të Pakistanit.

Ai ka nxitur familjen e tij që të përmbushë amanetin e tij dhe të shpenzojë pasurinë për “xhihad, për hir të Allahut”.

Në një letër tjetër, ai ka nxitur babanë e tij që të përkujdeset për gruan dhe fëmijët e tij në rast të vdekjes së tij.

Ky mesazh e ka bërë të qartë se rreziku se mund të vritej ka qenë i pranishëm në kokën e tij.

“Nëse vritem, lutuni shumë për mua dhe jepni vazhdimisht para për bamirësi në emrin tim, sepse do të kem shumë nevojë për mbështetje për të arritur banesën e fundit”, ka shkruar ai. /Gazeta Express/