Jahjaga ia kujton subjekteve opozitare nevojën për dialog

Zyra e Presidentes ka njoftuar se e para e vendit, Atifete Jahjaga, ka pritur sot përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës – Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

Takimi ka ndodhur me kërkesë të këtyre të fundit, të cilët edhe kanë dorëzuar në Zyrën e Presidentes së Kosovës peticionin e organizuar nga partitë opozitare për çështjen e demarkacionit të kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

“Presidentja Jahjaga theksoi se në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe pa paragjykim ajo tashmë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës. “Presidentja Jahjaga përsëriti thirrjen e saj që i tërë spektri politik i Kosovës t’i përgjigjet ftesës së saj për dialog politik për të tejkaluar situatën e krijuar në vend”, thuhet më tej aty.Koha.