Tërmetet mbeten “testuesit” e vetëm të objekteve që janë ndërtuar në dy dekadat e pas luftës në Kosovë, ku janë shpërfillur shpesh rregulla bazë të ndërtimit, raporton emisioni “Udhëve” në RTK.
Halim Sinani, është me profesion inxhinier i ndërtimtarisë. Ai është banor në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë, ku në vitin 2010 kishte blerë një banesë derisa po ndërtohej. Por, që nga ajo kohë ai ende nuk ka arritur ta bëjë bartjen e pronësisë së banesës që ka blerë.
“Kjo banesë që 10 vite është në funksion. Por investitori nuk iu ka përgjigje qysh duhet në këtë banesë. Pikë së pari tash me Termokosin kemi pasë problem. Banesën e kemi ble në ndërtim. Mas kontratës kemi banu këtu. Ka pasë mirëmbajtjen deri në shtator 2022”, thotë ky banor.
Para një viti, sipas tij, ndërtuesi kishte ftuar banorët që të koordinoheshin rreth pranimit teknik. Por, ai kishte ndryshuar planin dhe kishte filluar procesin e legalizimit, raporton emisioni Udhëve në RTK.
Në vend të pranimit teknik, kompanitë kalojnë në legalizim
Sinani thotë se është e pakuptimtë që një objekt që është ndërtuar me leje tashmë duhet t’i nënshtrohet procesit të legalizimit, në vend se i njëjti të pranohej teknikisht.
“Ky qetash veç po thotë objektin e kam kalu në legalizim. Objekti duhet me shku në pranim teknik e jo në legalizim. Shpenzimet i kemi pagu vet individualisht, ai arsye të kota po jep pse ka kalu në legalizim…”, thotë ai.
Ajo që e pengon Sinanin dhe familjen e tij është fakti se ata nuk zotërojnë ende pronësinë për banesën pavarësisht çmimit që kanë paguar.
“Na pengon me dashtë me shitë banesën; as baba jem mu nuk mun me ma qitë në emër temin. Pronësia është vetëm me kontratë”, thotë ai.
Arbër Sadiki është drejtor i urbanizmit në Prishtinë. Ai thotë se shumë kompani është fakt që nuk e përmbyllin ciklin e pajisjes me dokumentacion nga marrja e lejes ndërtimore deri tek pranimi teknik. Arsyet për këtë, sipas Sadikit janë të ndryshme.
“Ky zinxhiri deri te leja përdorimit ku mbyllet komplet cikli dhe një ndërtesë futet në funksion është një zinxhir që jo lehtë kontrollohet…”, thotë drejtori Sadiki.
Një objekt që nuk është i pranuar teknikisht, ligjërisht nuk ka përmbushur kushtet për të qenë i banueshëm.
Tërmeti në Turqi ka ngritur dilema te shumë banorë të objekteve banesore sa i përket sigurisë së këtyre objekteve.
Situatë e ngjashme me Prishtinën sa i përket mbikëqyrjes është edhe në komunat tjera. Asamblistë dhe aktivistë komunalë të Fushë Kosovës thonë se edhe në këtë komunë ka pasur ndërtime pa asnjë kriter dhe ka munguar mbikëqyrja.
“Ka shumë objekte në Komunën e Fushë Kosovës që kanë mbetur pa pranim teknik por ka edhe objekte që kanë mbetur përgjysmë. Me gjithë këtë ndërtim ju mungon edhe pranimi teknik. Ka edhe objekte të banueshme që nuk iu ka ba pranimi teknik”, thotë Durim Hajra asamblist në komunën e Fushë Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Komunat në “shok” nga ndërtimet e egra
Arlind Imeri, një aktivist qytetar thotë se komuna e Fushë Kosovës ka përjetu një zhvillim shumë të hovshëm që institucionet lokale i ka zënë në shok dhe situata ka rrëshqitë prej kontrollit.
“Ka mbindërtime objekte pa legalizu dhe shkeljet e mundshme mundesh mi gjetë brenda territorit të Fushë Kosovës sa i përket ndërtimit”, thotë ai. E Mirsad Qyqalla, asambleist i PDK-së thotë se secili qytetar që jeton në Fushë Kosovë e vëren mënyrën si është rritë dhe si është zhvilluar qyteti. “Mënyra si është zhvillu qyteti ka qenë një keqplanifikim për faktin se secili prej nesh ballafaqohet në baza ditore me problemet e natyrave më të ndryshme duke filluar nga aspekti i sigurisë që është minimal dhe nuk duhesh me kanë ekspert me dalë me pa që nëse ndodhë një zjarr apo diçka është e pamundur qasja e zjarrfikësve. Kam qenë dëshmitar kur një ndërtesë iu ka vu flaka në rrugën e çerdhes dhe hidranti nuk ka pasë ujë dhe me gjasë masi kemi hulumtua pak hidrantët nuk kanë ujë fare”, shprehet ai.
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Fushë Kosovës Abdullah Prebreza thotë se paraprakisht bëhen matje dhe vlerësime, pasi një kompani të marrë lejen ndërtimore e cila sipas tij jepet vetëm kur plotësohen kushtet për ndërtim, raporton emisioni Udhëve në RTK..
Kompania projektuese, sipas drejtorit Prebreza, kur fillon punimet, së pari, bën shpimet gjeomekanike. “Shpija projektuese automatikisht sjell projektin. Vijnë me apliku në komunë, sillen projektet dhe një ekip i ekspertëve bëjnë kontrollin e projekteve. Fushë Kosova qëndron mirë dhe janë të përmbushura kriteret sa i përket mbrojtjes seizmologjike”, ka thënë Prebreza.
Prebreza thotë se nuk lëshojnë asnjë dokument pa plotësuar këto kushte.
Miti për ndërtimet e larta të Dragodanit
E në Prishtinë, përveç lagjeve tjera është ndërtuar edhe në pjesën e Dragodanit. Por, vet drejtori i urbanizmit në komunën e Prishtinës Arbër Sadiki pranon se studimet e kryera më herët kanë ndaluar ndërtimet e larta në atë zonë. Por, pse tash në Dragodan lejohet ndërtimi?!
“Ato struktura të tokës që janë analizu para 20 vitesh janë të njejtat në terren. Teknologjia avancon që me stabilize. Po ajo çka nuk guxojmë është me neglizhua ndërtimin”.
Zijadin Guri, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë thotë se Instituti seiozmologjik hulumton terrenin dhe përpilon harta sizmike të cilat thotë se nga projektuesit përdoren për të marrë parametra se çfarë shkalle tërmeti mundet me ndodhë dhe sa munden me qenë të rrezikuara objektet prej atij termet. “Mangësia që e shoh është që ndërtimet e reja edhe pse cilësia është e mirë, nganjëherë si mangësi në projekt kanë dimensionet e elementeve vertikale të forta”, thotë Guri sipas të cilit tërmetet ngacmojnë secilin. “Nuk mjafton vetëm me u shqetësua dhe me u brengosë por duhet të punojmë që tash e tutje të të projektojmë dhe të ndërtojmë struktura solide kurse këto që i kemi, t’i bëjmë të sigurta”, ka thënë ai.
Ndërkohë, derisa mungon mbikëqyrja e rreptë dhe revidimi tërmetet sipas ekspertëve do të jenë testi kryesor nëse strukturat e banesave të ndërtuara janë mjaftueshëm të qëndrueshme.