Nga 28 aktorët e ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, bazuar në shfaqjet që janë dhënë përgjatë vitit, 14 prej tyre kanë dalë të mos jenë angazhuar në asnjë projekt.
Agon Myftari, drejtor artistik i TKK-së ka thënë për KultPlus se janë duke punuar në një rregullore që do të mbikëqyrë edhe angazhimin aktorëve, për të cilin ka konfirmuar edhe Jeton Neziraj.
Kurse Albulena Kryeziu, njëra nga aktoret më të angazhuara në vend është shprehur se nuk do të dëshironte kurrë të jetë në pozitën e aktorëve që marrin rrogë e nuk angazhohen kurrë.
Njëzetetetë është numri i aktorëve të cilët janë pjesë e ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Edhe pse sipas ligjit, ky numër është i paktë për një ansambël, ata sipas drejtuesve të TKK-së janë mjaftueshëm që të jenë pjesë e të gjitha projekteve të këtij teatri, varësisht përzgjedhjes së regjisorit.
Deri në këtë vit ky ansambël kishte vetëm tetëmbëdhjetë aktorë të cilët ishin punësuar shumë vite më parë, por ky vit solli edhe dhjetë aktorë të rinj e të cilët duket se janë më të përshtatshëm për regjisorët. Kur themi më të përshtatshëm, bazohemi në atë se përgjatë këtij vitit, por edhe viteve të kaluara shumë pak kemi hasur ti shohim aktorët rezident të cilët janë të punësuar shumë më herët në teatër në projektet e këtij institucioni, edhe pse ata marrin paga të vazhdueshme.
Një gjë të tillë, e tregoi për KultPlus, edhe drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari sipas të cilit, në ansambël ka aktorë që janë për një periudhë shumë të gjatë e nuk janë të angazhuar, por që marrin rroga. “Kemi të angazhuar edhe nga të vjetrit, por është e vërtetë që për një periudhë të gjatë kemi aktorë që janë në ansambël e nuk janë angazhuar, por kanë marrë rroga, por ka edhe aktorë që nuk janë mirë me shëndet”, ka thënë drejtori artistik i TKK-së, Myftari i cili ka shpjeguar se për mos angazhimin e aktorëve ka edhe arsye të tjera, duke përfshirë edhe refuzimin e roleve nga vetë aktorët.
“Në fakt “Budallenjtë”, është projekti i parë i propozuar nga unë, dhe dallimi prej projekteve të mëhershme, këtë herë , në këtë projekt janë përfshirë tetë aktorë të brendshëm. Unë mendoj që me këtë dhjetëshen e re që janë të punësuar, natyrisht që është zbutur problemi, por nuk është zgjidhur problemi. Sepse, pas katër viteve do të dalin disa aktorë në pension dhe ky numër me njëzetetetë aktorë rezident në TKK, shumë shpejt brenda viteve do të bie në 20, dhe duhet gjithqysh të freskohet me aktorë të rinj”, tha Myftari.
Por sa i përket gjithë këtij problemi në lidhje me angazhimin e të gjithë aktorëve, pa marrë parasysh moshën, sipas Agon Myftarit, Këshilli Drejtues i TKK-ës është në përpilimin e një rregulloreje të brendshme, e cila e rregullon statusin e brendshëm të aktorëve rezident në teatër, dhe me këtë rregullore caktohen se cilat janë obligimet e një ansambli.
“Me këtë rregullore, atëherë na bie barrë që vendimet e këtij këshilli t’i zbatojmë”, ka thënë Myftari, sipas të cilit, atëherë edhe do të mbikëqyren aktorët se nëse janë të gatshëm të luajnë apo jo në rolet që u ofrohen, dhe nëse nuk shprehin gatishmëri, atëherë, po sipas rregullores do të merren edhe masa ndaj aktorit.
Mirëpo, duke pas parasysh se shumë shpesh te regjisorët preferojnë të mos mbajnë audicion, por i përzgjedhin aktorët, drejtori artistik ka shpjeguar se shumica prej regjisorëve i njohin aktorët nga shfaqjet e mëhershme, dhe po sipas tij, mendojnë se nuk u duhet audicioni. Por, sipas Myftarit, është edhe e kundërta, ka raste kur regjisori kërkon audicion dhe i thërret të gjithë aktorët në audicion, por, sipas tij, nuk janë të obliguar që ti thërrasin që të gjithë në audicion.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Drejtues në këtë institucion, Jeton Neziraj ka thënë për KultPlus se ende nuk kanë ndonjë plan më specifik në lidhje me rregulloren, por që janë në proces e sipër. Ai poashtu tregoi se dhjetë aktorët e rinj kanë nënshkruar kontrata të cilat janë standardizuar sipas një modeli të ri. “Ne tani i kemi pranuar dhjetë aktorë të rinj, dhe me këta dhjetë të rinj janë nënshkruar kontratat, ku këto kontrata janë standardizuar sipas një modeli të ri, që nënkupton, janë specifikuar detajet e angazhimit të tyre përgjatë periudhës sa zgjatë kontrata. Kurse të vjetrit kanë kontrata tjera që i kanë nënshkruar më herët. Duhet ti shohim modelet se si ti trajtojmë, sepse tek e fundit ata janë aty përmbi 30 ose 40 vite”, ka thënë Neziraj.
Aktorët të cilët nuk kanë qenë të angazhuar në asnjë projekt të këtij viti, duke u bazuar në shfaqjet e repertorit që janë dhënë premierë janë: Adhurim Demi, Basri Lushtaku, Bislim Muçaj, Fatime Llugiqi, Fatime Lajqi, Hysnie Muqaj, Ismet Azemi, Igballe Qena, Lumnie Sopi, Mehmet Breznica, Naim Berisha, Selman Jusufi, Veton Osmani, Shirine Morina.
E aktorja, Xhejlane Godanci e cila është në këtë ansambël që nga viti 1994 e që i takon pjesës së vjetër të ansamblit rezident, është njëra nga aktoret që i është dhënë rasti të angazhohet tek në fund të vitit, dhe që kjo shfaqje premierën do ta ketë në janar të vitit 2016. Ajo ka thënë për KultPlus se që nga punësimi i saj në këtë institucion, ajo gjithmonë ka qenë aktive. “Tash jemi në përgatitjen e shfaqjes “Budallenjtë”, me Florent Mehmetin. Unë gjithmonë kam qenë aktive prej kur jam punësuar. Brenda vitit ne nuk mund të bëjmë shumë shfaqje, varet sa na ofrohen”, tha ajo.
Kurse për aktoren, Albulena Kryeziun që i përket pjesës së re të ansamblit rezident shfaqja “Budallenjtë”, është e dyta në të cilën merr pjesë, pas asaj “Një burrë mes dy grash”. Ajo sa i përket përzgjedhjes së aktorëve nga regjisorët, tha se është privilegj për një aktor të jetë pjesë e projekteve të TKK-së, pasi që, gjithmonë ekziston mundësia e marrjes së aktorëve nga jashtë ansamblit.
“Secili aktor rezident që përzgjidhet nga regjisorët, është privilegj për të, pasi që ka shumë aktorë rezident . Por, gjithmonë ekziston mundësia që të angazhosh edhe aktorë të jashtëm, por që po shihet qartazi që regjisorët kanë filluar ta gjejnë vetën brenda këtyre dhjetë aktorëve që janë punësuar, dhe natyrisht është kënaqësi. Unë mendoj që është zgjedhje e aktorit a do të punojë apo jo, ka ndoshta edhe aktorë që nuk i ofrohen role edhe pse e kanë vullnetin të luajnë, por nuk kisha dashur kurrë të jem në pozitën e një aktori që e merr një rrogë e nuk angazhohet kurrë. Por nuk e di saktë zgjedhje e kujt mundet me qenë, e aktorëve apo e regjisorëve”, theksoi Albulena Kryeziu.Krejt për fund, KultPlus, siguroi edhe shifrat e rrogave të të gjithë këtyre aktorëve që janë në ansamblin rezident në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku rrogën bruto ata e marrin 437,50 euro, ndërsa neto 395.57. /kultplus/