Këngëtarja nga Gjilani Saranda Hasani në çokolatën suedeze (FOTO)

Vitin e kaluar 19 vjeçarja shqiptare ishte pjesë e spektaklit “Idol” në Suedi, ku arriti të hyjë në mesin e tetë finalistëve për zërin më të mirë të Suedisë. Pavarësisht se nuk arriti të fitonte vendin e parë, prezenca e saj në medie dhe popullariteti nuk kanë munguar. Fabrika e njohur e çokolatës “Marabau” në Suedi ka lansuar produktin e çokolatës me emrin e saj.

Saranda Hasani është një emër i ri në muzikë, i cili dita ditës po shndërrohet në një yll në Suedi. Vitin e kaluar 19 vjeçarja shqiptare ishte pjesë e spektaklit “Idol” në Suedi, ku arriti të hyjë në mesin e tetë finalistëve për zërin më të mirë të Suedisë. Pavarësisht se nuk arriti të fitonte vendin e parë, prezenca e saj në medie dhe popullariteti nuk kanë munguar. Sukseset e Sarandës vazhdojnë tutje duke e sfiduar veten edhe si moderatore. Ajo është udhëheqësja e parë shqiptare në një televizion suedez, dhe çdo të premte shfaqet live në TV 4 të Suedisë në kuadër të emisionit “Idol”.

Por pikërisht këto ditë fabrika e njohur e çokolatës “Marabau” në Suedi e cila është sponsor i këtij emisioni ka bërë edhe një surprizë për të duke lansuar produktin e çokolatës me emrin e saj. “Ishte një kënaqësi si për ne si familje ashtu edhe për vet Sarandën. Ajo ishte duke prezantuar emisionin e radhës në televizionin suedez dhe pa dijeninë e saj, sponsorët duke ia dhuruar një çokolatë i thanë se çokolata “Marabau” ka lansuar produktin e saj edhe me emrin Saranda Hasani. Këtë e kanë bërë në shenjë respekti për të dhe për vlerat që ajo po shfaq para publikut suedez”, ka thënë për “albinfo.ch”, babai i Sarandës, këngëtari Hasani.

Saranda Hasani - çokolata

Saranda edhe më herët ka qenë pjesë e reklamave të firmave të shumta në Suedi. Ndërkohë ajo ka të përgatitur një këngë të re, por për shkak të angazhimeve të saja në emisionin televiziv ende nuk e ka lansuar. “Ajo do të sjell edhe shumë gjëra të tjera të reja të cilat do të jenë befasi për publikun. Por çdo gjë do të vijë me kohë”, thotë zotëri Hasani për “albinfo.ch”.

Saranda, me muzikë merret prej vitesh. Më parë ajo bashkë më të atin ka kënduar këngën “Do të kthehem përgjithmonë”, ndërsa kënga e saj më e pëlqyer në gjuhën shqipe është “Me jep dashuri”. /albinfo/