Këshilltarët e Prizrenit kërkojnë lirimin e Artan Abrashit, jo edhe ata nga LDK-ja

Këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prizrenit, sot kanë mbledhur nënshkrimet e anëtarëve të Kuvendit ku kërkohet lirimi nga masa e paraburgimit të shefit të GK të LVV-së, Artan Abrashi, i cili është arrestuar nga policia gjatë protestave të opozitës në Prishtinë.

Kuvendari i LVV-së, Arbër Rexhaj, njoftoi me këtë rast se 24 kuvendarë e kanë dhënë nënshkrimin e tyre për këtë kërkesë të LVV-së, të cilët i ka falënderuar, por ka bërë të ditur se një gjë e tillë nuk është përkrahur nga këshilltarët e LDK-së, të cilët sipas Arbër Rexhajt, kolegun e tyre nga opozita duan ta shohin në burg.

Lidhur me këtë, ka reaguar shefja e GK të LDK-së, Mybera Mustafa, e cila tha se dokumenti për vënien e firmosjes për lirimin e Artan Abrashit atyre i është dhënë gjatë kohës së mbajtjes së seancës së sotme të Kuvendit të Prizrenit, dhe kjo gjë ishte arsyeja e mospërkrahjes së kësaj kërkese.

Ndërkaq, Arbër Rexhaj, tha se lidhur me kërkesën e LVV-së janë njoftuar qysh para seancës strukturat e LDK-së, por një gjë e tillë nuk gjeti përkrahje nga ju, ishin fjalët me të cilat iu drejtua ai kuvendarëve të LDK-së.

Ndryshe, gjatë leximit të emrave të këshilltarëve që e kanë nëshkruar këtë kërkesë të LVV-së, figuronin nënshkrimet e të gjithë anëtarëve të Kuvendit nga pozita dhe opozita, përveç atyre të LDK-së. /Tv Prizreni/