Këto ishin premtimet e Isës

“Ne sigurojmë që investimet në bujqësi brenda katër viteve të arrijnë në vlerë të 1 miliard e 200 milionëve dhe të punësojmë rreth 120 mijë në vit”, ka thënë Kryeministri Mustafa në qershor të vitit të kaluar.

Pavarësisht premtimeve elektorale të udhëheqësve të partive në pushtet për krijimin e mijëra vendeve të reja të punës, përqindja e papunësisë në Kosovë vazhdon të mbetet e njëjtë.
Të dhënat e fundit të Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë se shkalla e papunësisë në vend është mbi 35 për qind. Ndërsa numri i të punësuarve me ndërmjetësim sipas ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për periudhën janar-fillim dhjetori të këtij viti, është 3 mijë e 716 punonjës.
Me premtimet që jepte atëbotë kandidati për kryeministër i LDK-së Isa Mustafa, siguronte se LDK në qeverisje do të zbatojë të gjitha premtimet e saj për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
“Të gjitha ato që ne ua kemi premtuar qytetarëve tanë, edhe para premtimit të fushatës, edhe gjatë fushatës, janë premtime të cilat ne do t’i realizojmë. Do të ar rijmë që të punësohen njerëzit, do të punësohen të gjithë ata që hyjnë në tregun e punës gjatë një viti dhe të tjerët, do t’i përkrahim bizneset, do ta ulim varfërinë, do ta rrisim zhvillimin ekonomik”, ka thënë në qershor të 2014-tës, kreu i LDK-së, kryeministri aktual, Isa Mustafa, raporton KP.
Madje , Mustafa kishte premtuar deri në 120 mijë vende pune në sektorin e bujqësisë.
“Ne sigurojmë që investimet në bujqësi brenda katër viteve të arrijnë në vlerë të 1 miliard e 200 milionëve dhe të punësojmë rreth 120 mijë në vit”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë që rezultatet tregojnë se në vitin e parë nuk është arritur kjo shifër.
Defrim Rifaj, drejtor i departamentit të Punës dhe Punësimit, në MPMS, tha se me ndërmjetësim të zyrës së punësimit që është në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë punësuar 3 mijë e 716 punonjës, ku nga kjo shifër kanë përfituar 1 mijë e 299 femra.
“Për këtë periudhë janë punësuar 3 mijë e 716 janë punësuar. Ka vende të lira të punës që janë të identifikuara 12 mijë e 474 në nivel të Kosovës. Ka problematika të ndryshme në këto biznese. Ka disa që hezitojnë të punojnë. Kemi prej tyre të pa kualifikuar ku në qendrat tona të punësimit i ofrojmë edhe aftësim profesional. Gjitha janë falas. Por thonë se unë nuk e punoj atë punë, e refuzojnë, realisht e refuzojnë punën ose është shfrytëzues i skemës sociale apo ndonjë skeme tjetër”, tha Rifaj.