Kikaj: Cilido që të vinte në pushtet, do t’i nënshkruante marrëveshjet (Video)

Cilado qeveri që të ishte në pushtet, cilido kryeministër që të vinte, ka qenë i obliguar të sillej në përputhje me ligjin që ka miratuar Kuvendi, ka deklaruar në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Kikaj, i pyetur rreth nënshkrimeve të marrëveshjeve të gushit për të cilat po proteston opozita.

Ai ka thënë se ekzekutivi gjithherë ka obligime dhe përgjegjësi që të zbatoj ligjin, “prandaj opozita ka bërë hapa të gabueshëm në kërkesat e saj”.

Kikaj i ka komentuar shkurt edhe deklaratat e deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili në “Kontakt” kishte thënë se me këtë marrëveshje Kosova po humb territor.

“Ai nuk është ekspert, por është gjeograf. I ka pikëvështrimet dhe faktet e tij, por ato do të duhej të ballafaqoheshin me ato fakte që ka komisioni. Nuk mjafton vizatimi në një hartë i një pikë në vitet ‘50 e ‘60, kur dihet se pas planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës për bazë është marrë gjendja e kufijve dhe e administrimit të territorit të Kosovës i vitit 1988”, ka deklaruar Kikaj.