Koci: Kadaj-Bujupi mund të lirohet nga paraburgimi

Arianit Koci, avokati i deputetes së arrestuar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka deklaruar se ajo mund të lirohet sot nga masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në Interaktiv të KTV-së, Koci ka thënë se ka kërkuar që të ndryshohet masa e dënimit ndaj saj dhe nëse kjo aprovohet ajo mund të mbetet në arrest shtëpiak apo t’i caktohet masë tjetër nga Gjykata e Apelit, e cila për këtë gjë pritet të vendosë nesër.

“Nëse vendoset të aprovohet kërkesa ime mund t’i akordohet arresti shtëpiak, lajmërimi në polici ose masë tjetër”, ka thënë Koci duke shtuar se e konsideron këtë vendim të padrejtë.

Koci ka folur edhe për deklaratën që kishte dhënë se gazi lotsjellës i hedhur nga deputetja ishte tym i diskotekave duke thënë se kjo ishte ironi pasi ka konstatuar se Prokuroria nuk ishte e përgatitur aspak për këtë çështje.

“Rastit nuk i është bërë ekspertiza. Nuk është treguar a është armë a jo, a ishte i dëmshëm a jo. Andaj kam ironizuar me Prokurorinë. Kam konstatuar se edhe letërthirrjet ishin të parregullta. Ajo nuk ishte dorëzuar personalisht te Donika. Ftesa ka qenë për 24 nëntor, por dikush e kishte refuzuar andaj Prokuroria ka kërkuar, për mua të padrejtë, masën e arrestit”, ka shtuar ai. / Telegrafi