Komuna nuk po merret me borxhet e trashëguara

Kreu i Gjilanit Lutfi Haziri, tash po flet më pak për borxhet e trashëguara, ngase edhe u ka premtuar qytetarëve se tash më shumë do të merret me investimet në të ardhmen. Ai më herët pati theksuar se Komuna e Gjilanit nga qeverisja e kaluar pati trashëguar borxhe që kapin shumën e mbi 4.1 milionë euro, pastaj detyrime 2.9 milionë euro, andaj edhe ishte dashur që të aplikojë disiplinë financiare dhe që njëkohësisht të bëjë shlyerjen e borxheve. Ai ka thënë se ishte i detyruar që gjithashtu të ketë një qeverisje të butë, duke theksuar se nuk ka qeverisje të pasur me qytetarë të varfër. Këto borxhe të paraqitura nga kryetari i Komunës, gjithnjë janë kontestuar nga PDK-ja, tashti subjekt në opozitë, drejtues të së cilës në Asamblenë Komunale, Sahit Abazi, Riad Rashti, Bujar Nevzati, theksojnë se qeverisja e kaluar ka lënë edhe projekte konkrete të cilat duhet të vazhdohen.

Sahit Abazi, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, ka theksuar se shpesh borxhi është hiperbolizuar dhe këtë pushteti e ka bërë me qëllim që t’i mbulojë mossukseset dhe dështimet e veta.

Edhe Ismajl Kurteshi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka theksuar se disa herë kishin kërkuar nga qeverisja komunale që të dihet saktësisht se ishin borxhet e trashëguara, sikurse që “Vetëvendosje” ka kërkuar që të dihet se kujt i ka borxh Komuna, për çfarë arsye, kujt i janë paguar dhe çështje të tjera, por që, sipas tij, deri më tashti nuk kanë marrë ndonjë përgjigje./Zeri