KOSID: Me Termocentralin ‘Kosova e Re’, Rryma 30% më Shtrenjtë

Një grup i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë ka thënë sot se ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ do të ndikojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 30%.

Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) ka shprehur shqetësimin se Qeveria ka ndërmarrë vendime jo-transparente që shkojnë në dëm të interesit të Kosovës kur ka vendosur për ndërtimin e këtij termocentrali.

Javën e kaluar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik shpalli kompaninë amerikane “contour Global” si ofertues të preferuar për ndërtimin e këtij termocentrali prej 500 kilovatësh.

‘’Vendimi i Qeverisë edhe më tej, tregon se kjo Qeveri nuk ka pasur një qasje të mirë për ta zgjidhur problemin e sektorit të energjisë’’, ka thënë koordinatori i KOSID, Visar Azemi.

Ai gjithashtu ka thënë se ky investim që pritet ta kalojë shumën prej 1 miliard euro do të ndikojë te familjet me asistencë sociale, për shkak të pamundësisë për të paguar një çmim të tillë.

Ndërkaq Rinora Gojani nga Instituti INDEP që është pjesë e KOSID, tha se procesi është zhvilluar pa përfshirje parlamentare dhe pa e respektuar Kuvendin si institucion vendimarrës.

“Ndërrimi i pakos tenderuese nuk është proceduar në Kuvend dhe ka ndodhur pa miratimin e tyre, kështu që na shqetëson fakti se në këtë fazë nëqoftëse Parlamenti i Kosovës anashkalohet atëherë qysh do të mbikëqyret puna e këtij termocentrali”, ka thënë Gojani.

Ajo tha se është e paqartë edhe mënyra e implementimit të këtij projekti pasi që kontributi i buxhetit të Kosovës do të jetë zero, investitori privat do ta mbulojë shumën prej 30 % të shpenzimeve ndërsa nuk dihet se kush do ta mbulojë 70 përqindëshin e investimit./kallxo.com/