Kosova anulon udhëtimin në Serbi, s’i lejohet flamuri

Taekwondistët kosovarë nuk do të paraqiten në Kampionatin Ballkanik të Taekwondos, që në fundjavë mbahet në Zrenjanin të Serbisë.

Federata e Taekwondos e Kosovës të martën kishte paraqitur për regjistrim garuesit që planifikonte t’i dërgonte në kampionat, ndërsa të mërkurën Federata e Taekwondos e Serbisë, si organizatore e garës, vendosi që Kosova mund të paraqitet vetëm pa simbole shtetërore, pa flamur e himn, shkruan sot Koha Ditore.

Federata kosovare më pas kërkoi që të paraqitej e barabartë, si federatat e tjera, me simbole shtetërore, por nuk mori përgjigje. Kështu, të enjten mbrëma u vendos që të mos udhëtohet për Zrenjanin. Udhëtimi parashihej për të premten në mëngjes (sot), në ditën kur janë edhe matjet zyrtare. Garat mbahen të shtunën e të dielën.

Kjo është dashur të jetë paraqitja e parë e sportistëve kosovarë në një ngjarje ndërkombëtare që mbahet në Serbi. Fillimisht nuk dukej se do të ketë probleme. Kur Kosova bëri paraqitjen në faqen e internetit të paraparë për këtë, krahas emrit të garuesve dhe vendit të tyre (Kosovo) u vendos edhe flamuri i Kosovës. Por, pas raportimit të gjerë të mediumeve serbe situata ndryshoi.

Flamuri i Kosovës u hoq nga ajo faqe e internetit dhe në vend të tij u vendos logoja e Unionit Ballkanik të Taekwondos që organizon kampionatin ballkanik.

Federata serbe kërkoi falje për lëshimin “teknik” dhe bëri të qartë se do të respektojë tërësisht një rekomandim të Qeverisë së Serbisë, përkatësisht që nuk do të lejojë sportistët nga Kosova të paraqiten duke bartur simbole shtetërore.

Federata e Taekwondos e Kosovës është anëtare e Unionit Ballkanik të Taekwondos, Federatës botërore dhe evropiane të këtij sporti luftarak e olimpik. Por vendimi i serbëve mbeti në fuqi.

“I kemi shkruar Federatës Ndërkombëtare e asaj Evropiane, e po ashtu edhe organizatorit të kampionatit ballkanik. Por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Të premten në mëngjes do t’i shkruajmë një letër edhe më të gjatë, me të dhëna të detajuara Federatës Ndërkombëtare dhe asaj Evropiane. Ne kemi pasur një kontakt me Unionin Ballkanik që na ka njoftuar se ka mundësi që të anulohet kampionati. Ne do të kërkojmë këtë, pasi megjithëse jemi anëtare me të drejta të barabarta, nuk jemi trajtuar njëjtë me vendet e tjera. E kemi referencë të fortë pjesëmarrjen në Rusi me himn e flamur. Arsyetimi i serbëve është plotësisht politik, nuk ka të bëjë me sportin”, ka thënë të enjten mbrëma Nuhi Gashi, kryetar i Federatës së Taekwondos së Kosovës…/kohanet/