Kosova me 79 biokimistë, 120 laboratorë

Biokimistët kosovarë po shfrytëzojnë një vakum në Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2014 për të stërshitur licencat e tyre. Kështu ndonëse në Kosovë janë të licencuar vetëm 79 biokimistë, me diplomat e tyre janë licencuar mbi 120 institucione private. Inspektorati Shëndetësor nuk po arrin të ketë situatën nën kontroll për shkak të numrit të vogël të inspektorëve

Mbi 120 laboratorë janë licencuar në Kosovë nga vetën 79 biokimistë sa janë të licencuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo është bërë, duke iu mundësuar biokimistëve që të licencojnë më shumë se një laborator. Kështu, ata po shesin në më shumë se një vend licencat e tyre, përmes të cilave po licencohen edhe laboratorët e biokimisë. Kjo po bëhet falë manipulimeve të biokimistëve të cilët po shfrytëzojnë një zbrazëti në Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2014, i cili mundëson licencimin e laboratorëve me kusht që ata të punojnë jo më pak sa katër orë në ditë dhe minimumi tre ditë të javës.

Bazuar në këtë udhëzim, Ministria e Shëndetësisë, sipas Isak Shabanit, udhëheqës i Divizionit për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore obligohet që t’i licencojë laboratorët edhe nëse bartësit e licencave të tyre kanë licencuar paraprakisht ndonjë laborator aktiv./Zeri