Krasniqi: Kerry kërkoi zgjidhje pa gaz e pa polici

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Kransiqi ka thënë se sekretari amerikan i shtetit, John Kerry në mesazhet e tija për tejkalimin e krizës politike nuk e ka amnistuar Qeverinë.

Sipas Krasniqit mesazhi i Kerry-t se problemet duhet të zgjidhen me dialog nënkuptojnë se zgjidhja duhet të gjendet pa gaz lotsjellës e pa Polici.

Megjithatë ish-kryetari i Kuvendit ka thënë se nuk ka dialog politik aty ku ka arrogancë qeveritare.

Për më shumë Krasniqi e ka bërë të qartë se opozita nuk do të tërhiqet nga kundërshtimi i marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për demarkacionin dhe u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që ta mbështesin këtë kundërshtim.

“Në rend të parë, nëse e marrim parasysh zhvillimet në shkallë botërore, vizita e Sekretarit të SHBA-së, është mjaftë e rëndësishme. Pasi edhe ne një situatë të tillë, vizita e Sekretarit të shtetit të SHBA-së, është mjaftë e rëndësishme dhe në vetvete jep mesazhe të rëndësishme për vendin tonë. Zoti Kerry, në mesazhet e tija, as sa i përket krizës politike nuk e ka amnistuar Qeverinë, kurse sa i përket sundimit të ligjit e luftës kundër korrupsionit, përfshirë këtu edhe Gjykatën Speciale, mesazhet kanë qenë të drejtuara ndaj qeverisë së Kosovës e cila nuk po i merr hapat e duhura për të ndërtuar shtetin e së drejtës”.

“Këta po mendojnë se policia duhet t’ua zgjidhë gjitha problemet dhe atë politik. Sa u përket mesazheve që mund të nxirren nga kjo vizitë, për krizën politike, këtu secili mund ta interpretoj si të dojë, por kriza politike në Kosovë nuk është krijuar një anshme, për të ardhur deri këtu, më shumë është përgjegjësia e koalicionit qeverisës sesa e opozitës. Ne jemi të bindur se kriza politike duhet të zgjidhet me dialog politik”.

“Por nuk ka dialog politik aty ku tentohet të vendosin shumësia e numrave. Dialogu politik në situatën tonë duhet të kuptohet edhe si dialog me konsensus. Krizën politike në Kuvend dhe jashtë tij e kanë shkaktuar krerët e koalicionit qeverisës. Kriza politike, duhet të zgjidhet me konsensus, pasi kemi të bëjmë me çështje tepër vitale të cilat nuk mund të zgjidhen me fuqinë e numrave. Ndërsa përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend nuk është i dëshirueshëm as për opozitën, por pozita nuk ka lënë rrugë tjetër. Zoti Kerry nuk tha që problemi me opozitën duhet të zgjidhet me policinë antiterror! Pra, ai e precizoi: “Problemi duhet të zgjidhet me dialog”. Pra as me gaz lotsjellës e as me polici!”

Jakup Krasniqi, në një intervistë për Zëri, ka folur edhe lidhur me deklarimin e sekretarit Kerry se SHBA-të nuk do të mbështesnin marrëveshjet që e cenojnë sovranitetin e Kosovës, përkatësisht rreth asaj se a është ky një mesazh për partitë opozitare që t’i pranojnë marrëveshjet?

Në këtë drejtim Krasniqi ka thënë se këtu nga Sekretari i shtetit, Kerry, kemi dy mesazhe.

“Mesazhi i parë, i mbështesim marrëveshjet, dhe mesazhi i dytë, SHBA-të nuk i mbështesin marrëveshjet që janë të dëmshme për Kosovën. Në parim as opozita nuk është kundër marrëveshjeve me Serbinë e demarkacionin me Malin e Zi, ne jemi kundër përmbajtjeve të pa pranueshme dhe shumë të dëmshme të këtyre marrëveshjeve. Ne jemi të bindur se këto marrëveshje kanë qenë tepër të dëmshme dhe këta qeveritar nuk e kanë të drejtën të nënshkruajnë marrëveshje të tilla. Pasi në të dy rastet është shkelur Kushtetuta. Te dy marrëveshjet janë të dëmshme. Po nëse Kryeministri ynë dhe bashkëpunëtori i tij (Thaçi), i mbështesin marrëveshjet në fjalë, ne nuk presim nga Uashingtoni e as Brukseli që ta thonë të kundërtën. Opozita nuk ka problem as me Uashingtonin e as Brukselin, por me Kryeministrat tanë. Që nuk e kanë mbrojtur interesin e vendit”.

Ndërkaq në pyetjen nëse opozita do të vazhdojë kundërshtimin ndaj marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për demarkacionin, Krasniqi ka vlerësuar se kundërshtimi ndaj këtyre dy marrëveshjeve, nuk duhet të jetë vetëm i opozitës.

“Kundërshtimi duhet të jetë i gjithë qytetarëve të Kosovës. Këto marrëveshje e dëmtojnë rëndë të sotshmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/