Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi ka thënë se në asnjë mënyrë nuk do të pranonte që për pozitën e tij publike të rrezikonte thellimin e krizës dhe futjen e kombit dhe vendit në labirinte të rrezikshme, siç po veprojnë të parët e vendit.
Ai në një opinion dërguar mediave ka shkruar se për t’i ikur kësaj, zgjidhja është më shumë se e thjeshtë: zgjedhjet e parakohshme.
“Besojani zgjidhjen qytetarëve të Republikës! Këtë mundësi mos ua lejoni despotëve nga të cilët ikën demokracia”, ka shkruar Krasniqi.
Ja opinioni i plotë i Krasniqit:
Duke i përcjellë zhvillimet politike me goxha paanësi (pasi nuk kam asnjë aspiratë personale për përgjegjësi publike, veç asaj nacionale), me vjen më shumë se mirë që nuk jam pjesë e këtij koalicioni qeverisës, mbase as pjesë e institucionit përfaqësues – Kuvendit. Pasi vendi gjendet në një krizë të thellë politike dhe institucionale, të shkaktuar nga ata që pushtetin e shohin si të vetmen mundësi të mbijetesës politike e njerëzore. Të cilët nuk e kanë asnjë përgjegjësi për politikat e tyre publike, të cilët nuk e kanë asnjë përgjegjësi për qytetarin, kombin e shtetin. Zhvillimet politike të shtatë muajve të fundit flasin shumë.
Të jesh pjesë e këtyre institucioneve që kanë lindë në krizë dhe po vazhdojnë për gati dy vite në krizë, duke bërë marrëveshje të dëmshme për vendin, duke shkelë Kushtetutën, duke ndërhyrë në Sistemin e Drejtësisë e të Sigurisë, duke thelluar krimin e korrupsionin edhe në zgjedhjen e qytetarit të parë të vendit, qenka më shumë se “trimëri”?! Këtu natyrshëm mund të shtrohet pyetja:
A kanë përgjegjësi politike e njerëzillëk këta njerëz që e kanë kapë e ngulfatur funksionin e shtetit?
Nuk e di a ka kush mundësi të jep një përgjigje të duhur? Unë e kam vështirë, pasi mund edhe mos të kuptohem drejt! Por ajo që kam mundësi të them është kjo:
1.Pas dy marrëveshjeve që nuk është dashur në asnjë formë të përfundonin ashtu siç kanë bërë në dëm të Kosovës, e sidomos ajo e 25 gushtit, që ishte kryekrejt jo transparente, pa asnjë konsensus nacional për një çështje krejt nacionale dhe pa asnjë nivel përgjegjësie e profesionalizmi dialogues me një kundërshtar të disponuar armiqësisht e të njohur për pabesi e arrogancë të skajshëm. Në një rast të tillë hipotetik, puna e parë që do të mund ta bëja do të shikoja seriozisht se a do të meritoja të këmbëngulja që të vazhdoja të isha i veshur me përgjegjësi të larta publike.
2.Pas Konstatimit te Gjykatës Speciale se Parimet e Marrëveshjes së 25 gushtit, bien ndesh me frymën e 23 neneve të Kushtetutës, nuk do të hezitoja që vendin ta çoja në zgjedhjet e parakohshme, që qytetarët të vendosnin se cilit subjekt politik a lider do t’ua jepnin besimin për të qeverisur me vendin. Pasi këta njerëz në zgjedhjet e kaluara, qytetarëve u kanë premtuar krejt diçka tjetër dhe asgjë nga këto marrëveshje.
3.Zgjedhja e qytetarit të parë të vendit, në asnjë formë nuk do të d uhej të lejohej të zgjidhej në shtet rrethim, në atmosferën e gazit lotsjellës dhe të tërheqjes zvarrë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse Kushtetuta kërkon që Kryetari i shtetit (Presidenti) duhet të jetë unifikues i qytetarëve dhe i politikës, mënyra sesi është zgjedh presidenti më 26 shkurt, është më shumë se e qartë se personi i zgjedhur, në asnjë mënyrë nuk mund ta plotësoj ketë kërkesë. Një zgjedhje të tillë nuk do t’ia preferoja askujt. Kjo zgjedhje është bërë edhe me nota të qarta korruptive?!
4.Gjuha kërcënuese, fyese, denigruese e përdorur nga krerët e koalicionit për kundërshtarët politik e sidomos ajo e 17 shkurtit, do të duhej të mjaftonte për një përgjegjësi serioze morale e politike. Këta njerëz nuk kanë kulturë për të drejtuar e qeverisur me kombin e shtetin.
5.Në asnjë mënyrë nuk do të pranoja që për pozitën time publike të rrezikoja thellimin e krizës dhe futjen e komb it e të vendit në labirinte të rrezikshme, siç po veprojnë të parët e vendit?!
6.Është përgjegjësi e politikës që vendi për asnjë arsyeje dhe asnjë interes meskin mos të largohet nga procesi i demokratizimit, e as nga procedurat ligjore e demokratike. Largimi nga kjo që u tha, nuk na çon kah demokracia, por na çon drejt e në despotizëm.
Për t’i ikur kësaj, zgjidhja nuk është e ndërlikuat, është më shumë se e thjeshtë: zgjedhjet e parakohshme. Besojani ZGJIDHJEN qytetarëve të Republikës! Ketë mundësi mos ua lejoni despotëve nga të cilët ikën demokracia! (sic)