Kryeministri Mustafa: Opozita të kthehet në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar opozitën të kthehet në Kuvend duke thënë se ata duhet të heqin dorë nga dhuna dhe ultimatumet.

Por dialog me forma të dhunës, Mustafa ka thënë se nuk mund të ketë.

“E vërteta nuk arsyetohet me gaz lotsjellës, me plumba gome, me maska të zeza e me benzinë. Këto nuk janë mjete demokratike, por të dhunshme, prandaj ne nuk mund të bëjmë dialog në këtë formë. Ne si Qeveri përkrahim veprimet e të gjitha institucioneve në këtë aspekt, të Policisë, Prokurorisë dhe gjyqësorit sepse synojmë të ndërtojmë një shtet ligjor dhe këtë do ta bëjmë”, ka thënë Mustafa në mbledhjen e Qeverisë, raporton KTV.

Kryeministri ka shtuar se ata do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave serbe dhe këtë ka thënë se duhet ta bëjnë të gjithë.

Duke folur për marrëveshjen tjetër, atë të demarkacionit me Malin e Zi, që po kundërshtohet nga partitë opozitare, Mustafa ka shprehur edhe një herë gatishmërinë e Qeverisë për themelimin e një komisioni me përfaqësues qeveritarë dhe opozitarë për të ballafaquar aty argumentet, siç ka thënë kryeministri.

“Nuk kemi të bëjmë me demarkacion klasik por ne vetëm kemi bërë shënimin e kufijve që kanë qenë deri më 31 dhjetor 1988”, ka deklaruar Mustafa.

Mbledhja po vazhdon me shqyrtimin dhe miratimin e disa projektligjeve dhe vendimeve qeveritare.