Ku mbetën investimet 100 milionëshe të premtuara nga kryetari i Prizrenit

Kanë kaluar më shumë se dy vite kur kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka fituar mandatin e tretë të udhëheqjes. Ai kishte fituar mandatin duke dhënë premtime të mëdha, e që në fakt ato kurrë nuk e panë dritën, bilës shumë prej tyre as që kanë filluar të realizohen.

Ngecjet përfshijnë sektorët më të rëndësishëm të komunës, si zhvillimi ekonomik, bujqësia, arsimi e kultura. Në këta sektor, një numër i konsiderueshëm i projekteve nuk kanë filluar fare të realizohen, ndërsa ato projekte që kanë filluar së realizuari janë ndërprerë që në fazën e parë të punimeve.

Këtë e thanë për KosovaPress, organizatat që e monitorojnë rregullisht procesin e punës të kryetarit të komunës së Prizrenit.

Kryetarja e organizatës “Ec ma ndryshe”, Elmedina Baxhaku, tha se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka premtuar shumë. Ai ka arritur të realizojë premtimet në masën prej 25 për qind.

“Për çdo vit, edhe gjatë vitit 2013 gjatë fushatës për zgjedhjet komunale, kryetari ka premtuar një sërë punësh që do të kryej gjatë mandatit të tij. Nëse e marrim në përgjithësi, përqindja e realizimit të këtyre premtimeve figuron në bazë të vrojtimit tonë me 25% realizime. Si çdo kryetar tjetër edhe Muja ka premtuar projekte madhore në infrastrukturën e shërbimeve publike, në mirëqenien sociale, në shëndetësi, në sport, duke përfshirë edhe zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve. Vlen të cekën, investimet në lagjen “Bajram Curri” që kanë mbetur pezull, nuk ka asnjë ndryshim në këtë drejtim. Ka projekte që kanë filluar dhe nuk janë zbatuar deri në fund. Ka projekte të nisura dhe të dështuara, por ka projekte të cilat janë në numër të sheshtë, të vogël, që janë realizuar”, tha Baxhaku.

Ajo tha se nga premtimet që kryetari Muja ka realizuar, është menaxhimi i mbeturinave të qytetit, që ka qenë një donacion nga japonezët. Gjithashtu, ajo tha se qytetit vazhdon t’i mungojë një zonë industriale.

Baxhaku kujton premtimin e kryetarit se do të sjell investime rreth 100 milionë euro në komunën e Prizrenit, të cilat ajo thotë se ende nuk i kanë parë askund.

Edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në Prizren, Naim Cahani, tha se janë disa prej premtimeve që deri më tani nuk janë parë, e që kanë qenë prioritet në agjendën e kryetarit Muja. Ai i numëron disa nga ato.

“Kryetari ka premtuar një kuzhinë popullore e që deri më tani nuk është realizuar. Shpenzimet e varrimit për të vdekurit, gjë që nuk është realizuar. Kemi edhe premtime të tjera që nuk janë realizuar deri më tani, si teleferiku për kala, që ka qenë një projekt ideor që deri më tani në publik nuk është parë. Pastaj trajtimi i ujërave të zeza dhe ndërtimi i impiantit është një projekt që është iniciuar që nga mandati i kaluar i kryetarit Muja, vazhdon, por me gjithë atë pengesë kanë dalë në pah problemet e shpronësimit të tokave për ndërtimin e këtij impianti të ujërave të zeza”, tha ai.

Cahani tha se një nga premtimet e Mujës ka qenë edhe investimi në arsim, në këtë rast në ndërtimin e shkollës të Bujqësisë dhe asaj të Artit, që kryetari Muja gjatë këtyre 2 viteve të mandatit të tij të tretë nuk e ka përmendur. Listës së premtimeve të kryetarit Muja i prinë ai për 100 milionë euro investime.

“Kryetari Muja ka premtuar diku 100 milionë euro investime në Komunën e Prizrenit. Nëse bëjmë një analizë të buxhetit për vitin paraprak dhe këtë vit, atëherë del se Prizreni ka pasur diku 17 milionë euro investime kapitale, dhe nëse i shumëzojmë për 4 vite del që nuk do të jenë 100 milionë euro për investime kapitale, por shumë më pak. Kryetari i Komunës së Prizrenit gjatë fushatës së tij për 100 milionë euro për investime, në njëfarë mënyre i ka mashtruar qytetarët”, tha ai.

Madje Cahani thotë se kryetari Muja ka marrë vendim për lirimin nga taksat për bizneset prodhuese, e cila reflekton drejtpërdrejtë në mungesën e zbatimit të premtimeve të tij rreth rritjes së punësimit të qytetarëve të Prizrenit.

Ndërsa sipas institutit GAP, kryetari i komunës së Prizrenit Ramadan Muja, i ka përmbushur vetëm 27% të premtimeve.

Ndërsa kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, për KosovaPress tha se i përgënjeshtron të gjitha deklarimet e monitoruesve. Ai madje tha se nuk i interesojnë fare se çka flasin ata, siç i quan ai, “një grup njerëzish që pinë kafe e që kinse përfaqësojnë disa organizata joqeveritare”.

“Kush po e thotë atë? A kanë argumente ata? Le të mi japin argumentet. Çka flet personi ose një grup njerëzish që e përfaqësojnë një organizatë joqeveritare apo një institucion tjetër duke pirë kafe e pa argument? Mi thoni ato çka nuk janë realizuar! Sipas dinamikes së angazhimeve tona si komunë janë realizuar projektet, premtimet bukur mirë, pikërisht ato që janë premtuar qytetarëve të komunës së Prizrenit. Ato premtime nuk i kam dhënë unë si kandidat që isha për kryetar komune për këto 2 vite, por për 4 vite. Kështu që unë jam shumë optimist që të gjitha premtimet që i kam dhënë gjatë fushatës zgjedhore për qytetarët e komunës së Prizrenit, do t’i realizoj deri në fund të këtij mandati 4 vjeçar. Unë besoj shumë se do të realizohen”, tha ai.

Megjithatë, Ramadan Muja tha se është e pamundur që komuna t’i realizojë vet të gjitha premtimet e projektet, por ato ai tha se do t’i realizojë edhe përmes partneritet publiko-privat.

“Qytetarëve ju kam premtuar se do ta bëjmë edhe teleferikun, apo një mjet për të ngjit qytetarët dhe turistët që vinë për ta vizituar Kalanë. Edhe ky projekt si projekt i tretë parashihet të realizohet me partneritet publiko-privat. Gjithashtu rinisë së qytetit të Prizrenit ju kam premtuar edhe pishinën olimpike, e cila i mungon qytetit, dhe kjo planifikohet të ndërtohet në atë kompleksin e qendrës sportive të Prizrenit që është në dalje të qytetit në drejtimin verilindor”, tha Muja.

Ai tha se vetëm për sivjet 294 projekte i ka pasur në listën e investimeve kapitale dhe të gjitha këto, sipas tij, janë realizuar me buxhetin që ka qenë i planifikuar.

Por ai thotë se disa prej këtyre projekteve kanë mbetur të parealizuara në tërësi, ngase ato nuk mund të përmbyllen në fund të vitit kalendarik, sepse punimet për disa projekte janë zhvilluar për aq para sa kanë qenë të rezervuara me buxhetin e Komunës.